Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën ka rihapur shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarit Liridon Avdyli, në rastin ku i njëjti po akuzohet për përleshjen fizike që kishte ndodhur në lokalin “Maroon Pub” në Prishtinë, në vitin 2018.
Një gjë të tillë, e konstatoi gjykatësja e rastit Sulltane Hoti, në seancën e së hënës, në të cilën ishte paraparë të bëhej shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nevojitet që përsëri të hapet shqyrtimi gjyqësor për plotësimin e procedurës dhe sqarimin e çështjeve konkrete sa i përket natyrës së llojit të lëndimeve të shkaktuara me këtë vepër penale”, tha gjykatësja Hoti.
Ndërkaq, seanca e shqyrtimit gjyqësor për këtë çështje u caktua të mbahet më 8 nëntor 2022.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2022, Avdylin e kishte shpallur fajtor për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe e kishte dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tij ishte zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 800 euro.
Kundër këtij aktgjykimi, në Gjykatën e Apelit ka parashtruar ankesë përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokat Reshat Millaku, duke propozuar që ndaj të dënuarit Avdyli të shqiptohet një dënim më i rëndë më burgim efektiv, me të cilin sipas tij do të arrihej qëllimi i dënimit.
Gjykata e Apelit kishte gjetur se ankesa e të dëmtuarit është e bazuar dhe më 20 shtator 2022 ka marrë aktvendim, me të cilin ka kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.
Sipas vendimit të Apelit, është konstatuar se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të procedurës penale dhe kjo për faktin se nuk është përpiluar në harmoni të plotë me dispozitat ligjore.
“Dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar nuk është i qartë, në dispozitivin e këtij aktgjykimi nuk janë përshkruar qartë të gjitha veprimet inkriminuese të të akuzuarit, në të cilat veprime manifestohen të gjitha elementet qenësore të kësaj vepre penale, për të cilën është akuzuar dhe shpallur fajtor i akuzuari”, thuhet në vendim.
Apeli po ashtu ka konstatuar se aktgjykimi i ankimuar është nxjerrë në kundërshtim me dispozitën ligjore të nenit 248, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 dhe paragrafi 2 të KPRK-së.
Tutje, sipas vendimit, nga procesverbali i shqyrtimit gjyqësor ka rezultuar se nuk ka qenë i ftuar dhe prezent i dëmtuari Sahiti, i cili nuk ka mundur të paraqes fakte dhe prova të cilat ndikojnë në të drejtën e tij.
“Po ashtu, aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë edhe me shkelje tjera të dispozitave procedurale penale, nga neni 394, paragrafi 1, pika 1.12 lidhur me nenin 370, paragrafi 6 dhe 7 të KPPRK-së, për faktin se dispozitivi i aktgjykimi është i paqartë dhe në kundërshtim me arsyetimin e aktgjykimit”, thotë tutje vendimi i Apelit.
Ndryshe, në këtë rast të akuzuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” kanë qenë edhe Elmi Podrimqaku dhe Arben Nebihu, mirëpo me aktvendim të veçantë, gjykata e ka hudhur aktakuzën për të njëjtit për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale.
Sipas aktakuzës së plotësuar më 2 mars 2020, Liridon Avdyli akuzohet se si punonjës në lokalin “Maroon” kishte shkuar tek shanku, ku ka qenë duke qëndruar klienti-tani i dëmtuari Kushtrim Sahiti dhe pa asnjë paralajmërim ose shkak, me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore, e kishte goditur të njëjtin me një bateri elektrike të policisë. Aty thuhet se nga goditja i dëmtuari Sahiti është rrëzuar për tokë, ku pastaj janë ofruar dhe 4-5 persona të tjerë, po ashtu punonjës të lokalit deri tani të pa identifikuar, të cilët thuhet se kanë vazhduar ta godasin të dëmtuarin Sahiti. Sipas aktit akuzues, nga goditja që i dëmtuari e merr nga i akuzuari Avdyli, pëson thyerje në anën e djathtë të sinusit frontal.
Më këtë, Liridon Avdyli akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 189, paragrafi 1, pika 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, Elmi Podrimqaku dhe Arben Nebihi i kanë goditur të dëmtuarit Leutrim Morina dhe Kushtrim Sahiti në pjesë të ndryshme të trupit me shkop, ku me këtë rast iu kanë shkaktuar lëndime trupore.
Me këto veprime, të akuzuarit Elmi Podrimqaku dhe Arben Nebihi ngarkoheshin se kanë kryer veprën “Lëndimi i lehtë trupor ” nga neni 188, paragrafi 1, pika 1.4 të KPRK-së, vepër kjo e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.


