Lajme

Rigjykimi për korrupsion ndaj ish-inspektorëve të Prishtinës, katër dëshmitarët qëndrojnë pranë deklaratave të dhëna në prokurori dhe gjykatë

10/06/2022 18:04
nga:G B

Katër dëshmitarët Fisnik Abdyli, Ekrem Qarolli, Faik Rapi dhe Driton Gërdovci kanë deklaruar se qëndrojnë pranë deklaratave të tyre të dhëna në prokurori dhe në shqyrtimin gjyqësor.

Këtë deklarim dëshmitarët e dhanë, të enjten, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Florie Shamolli, në rigjykimin ndaj ish-inspektorëve Ismet Haliti, Mërgim Shala, Skënder Canolli dhe Vehbi Abdullahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Fisnik Abdyli duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Shamolli, ka thënë se është pronar i kompanisë “AS Project” dhe se kompania ekziston akoma mirëpo është e bllokuar financiarisht.

“Po, kompania ekziston por financiarisht është e bllokuar prej bankës. Jemi në një seancë gjyqësore me padi civile ndaj komunës që më është bërë e padrejtë mua se na kanë dëmtu financiarisht komuna, ma ka blloku punën deri në një vendim të Ministrisë së Ambientit të shkallës së dytë që më ka dhënë të drejtë, tash ka përfundu objekti, më duket në 2016 e ka dhënë vendimin ministria”, ka thënë ai.

Tutje, i njëjti ka thënë se ka aplikuar për leje të ndërtimit në vitin 2011 ose 2012 dhe se ka dy objekte me leje të ndërtimit të cilat janë funksionale akoma.

“Po, kam aplikuar në vitin 2012 ose 2011 nuk jam i saktë, i kam dy objekte dhe të dyja janë me leje dhe janë funksionale sot”, tha dëshmitari Abdyli.

Ai shtoi se ka marrë lejen ndërtimore, mirëpo nuk ka bërë pagesën me kohë dhe i janë rrënuar dy shtylla nga inspektorati.

“Unë e kam marrë lejen qysh e kam thënë atëherë, po pagesën s’e kam bërë me kohë, mu kanë rrëzu dy shtylla prej inspeksionit. E kam marrë lejen për ndërtim për njërën pjesë është tre kate, për njërën dy kate edhe kam bërë ankesë që s’mu ka dhënë koeficienti sa më ka taku dhe kam bërë ankesë në ministri”, tha ai.

Dëshmitari Abdyli gjithashtu ka thënë se inspektorët komunal kanë shkuar në vendin e ndërtimit, mirëpo,  nuk e di se cilët kanë qenë ata për arsye se nuk ka qenë i pranishëm.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Ekrem Qarolli, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores, tha se ka ndërtuar në lagjen “Lakrishte” dy  objekte shumë banesore dhe se të njëjtat kanë filluar të ndërtohen në vitin 2013.

Ai gjithashtu ka thënë se kanë marrë lejen e ndërtimit dhe paraprakisht kanë marrë edhe lejen urbanistike.

“Po, kena kërku në Komunë leje të ndërtimit. E kena marrë lejen, paraprakisht e kena marrë lejen urbanistike, e kena pagu taksën dhe sot e kena objektin”, ka deklaruar dëshmitarit Qarolli.

Qarolli ka deklaruar se ka shkuar në vendin e ndërtimit inspektorja Drita Rukiqi.

“Po ka ndodhë, Dita Rukiqi niher ka ardhë i ka qit shiritat edhe s’kena punu. Arsyeja e ardhjes është se nuk kemi pasë leje ndërtimore, e lejen urbanistike e kemi pasur si dhe kemi paguar taksën”, ka deklaruar i njëjti.

Në pyetjet e trupit gjykues, dëshmitari Qarolli ndër të tjera ka thënë se në kohën kur ka shkuar inspektrja Rukiqi kanë qenë në fazën punimit të gropës ndërtimore.

Ndërsa, dëshmitari Faik Rapi, duke u pyetur nga prokurorja Shamolli, ka deklaruar se i kujtohet se ka ndërtuar një objekt në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë dhe se ka pasur leje.

I njëjti ka shtuar se nuk i kujtohet për sa kate ka pasur leje mirëpo janë diku shtatë ose tetë.

“Tash nuk më kujtohet saktësisht, sinqerisht nuk e disha për çka jam ardhë, nuk e di është diku shtatë kate tetë”, tha ai.

Ai gjithashtu ka thënë se kanë shkuar edhe inspektorët komunalë si dhe kanë vendosur një çati që nuk ka qenë pjesë e projektit.

“Na e kemi vendos një kulm që s’kemi pas leje ndërtimi për të. Kulmi ka qenë jashtë projektit, nuk është bërë një kat më lartë”, shtoi i njëjti.

Ai ka sqaruar se edhe tani është objekti njëjtë.

“Po edhe sot është ashtu”, tha ai.

Në pyetjet e trupit gjykues nëse ka pasur ndonjë kontroll, vizitë apo ndëshkim për mospërmbushje të obligimit për ndërprerje të punimit, dëshmitari Qarolli ka thënë se jo.

“Jo, me sa e di unë është ndërru pushteti lokal a nuk e di”, tha ai.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Driton Gërdovci, i cili ka thënë se objekti sportiv, të cilin e ka ndërtuar në lagjen “Taukbashçe” e ka të trashëguar dhe i njëjti ka diku afër 1200 m2.

“Në lagjen “Taukbashçe” është toka qe e kam trashëgu nga gjyshi im, është diku afër 1200 m2 objekti sportiv, 76 ose 78 ari janë diku nuk jam i sigurt”, tha ai.

I nëjjti ka shtuar se objekti nuk ka pasur leje.

“Jo s’kam pas leje”, shtoi ai.

Ai gjithashtu ka thënë se kanë shkuar shumë herë inspektorë dhe se njëri nga ta ka qenë i akuzuari Abdullahu.

“Jo, veç njëri e ka pasë emrin Vehbi edhe më ka thirr shumë herë, më ka lëshu procesverbal për ndërprerje, për rrënim, i ka qit shiritat, unë kom vazhdu punën, këta i kanë qit shiritat më kanë thënë mos i maro po unë e kam vazhdu punën”, ka thënë dëshmitari Gërdovci.

Në pyetjet e trupit gjykues, i njëjti ndër të tjera ka thënë se me ftesë ka shkuar tek i akuzuari Abdullahu për intervistë.

“Nuk e di a kanë ardhë ky a tjerët por me ftesë jam shku unë në intervistë te Vehbi Abdullahu në komunë”, ka deklaruar ai.

Seanca e radhës për këtë çështje janë caktuar më 22 nëntor dhe  2 dhjetor të këtij viti ku pritet të dëgjohen dëshmitarë të tjerë.

Ndërkaq, në seancën e 15 dhjetorit 2021, prokurorja e kishte ndryshuar aktakuzën, ku në pikën e parë të aktakuzës, të akuzuarit Haliti dhe Canolli akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, të kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes në vazhdimësi siç tha ajo.

Në pikën e dytë të aktakuzës së ndryshuar, që ka të bëjë me objektin “Dodona”, sipas prokurores Hajdari, i pandehuri Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Haliti dhe Canolli kanë kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, lidhur me nenin 31.

Në pikën tre të aktakuzës së ndryshuar, prokurorja Hajdari tha se kjo pikë ka bëjë me të pandehurit Haliti, Canolli dhe Abdullahu me objektin në lagjen “Ilirida”, rruga “Xheladin Kurbaliu”, e që në aktakuzën bazë ishte në pikën 1.10, ku sipas aktakuzës së ndryshuar, të pandehurit e lartcekur akuzohen se në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Në pikën katër dhe pesë të aktakuzës së ndryshuar, të cilat pika sipas prokurores Hajdari kanë të bëjnë me objektin nga investitori “Ramiz Sadiku” dhe “Simon Invest”, i akuzarit Haliti akuzohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të Kodit Penal.

Ndërsa, krejt në fund të pikave të dispozitivit të kësaj aktakuze të ndryshuar, konkretisht në pikën gjashtë, i pandehuri Shala akuzohet për veprën penale e cila ishte në pikën 1.4 në aktakuzën bazë,  për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal.

Ndryshe, sipas aktakuzës së parë, Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, thuhet se në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.

Fillimisht, në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 prill 2018, të akuzuarin Haliti e kishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje, duke iu konfiskuar edhe vetura dhe para në shumën prej 11 mijë euro si dhe një pistoletë.

Skënder Canolli për keqpërdorim të pozitës zyrtare ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje. Atij i ishte konfiskuar makina e tipit “Passat” dhe 10 mijë franga zvicerane.

Inspektorja Blerina Syla ishte dënuar me 2 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu me 2 vjet burgim, Blerim Ibishi me 2 vjet, Mergim Shala, me 2 vjet dhe gjithashtu i ishte konfiskuar banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim dhe Granit Cenaj 1 vit burgim.

Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, ishte dënuar me 20 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve ishin ankuar në Apel për aktgjykimin e Themelores nën pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal si dhe në lidhje me vendimin për sanksionin penal.

Duke aprovuar ankesat e mbrojtësve, në dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 10 nëntor 2020, të akuzuarin Ismet Haliti për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare”, e kishte dënuar me dy vite burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.

Për keqpërdorim detyre, i akuzuari Skender Canolli ishte dënuar me 1 vit burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ishte dënuar me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.

Të akuzuarit Syla, Abdullahu dhe Ibishi ishin dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tyre mund t’iu shndërrohej në dënim me gjobë në shumë prej 12 mijë euro.

Me 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Ajeti, Shala dhe Rukiqi, por me pëlqimin e tyre ky dënim do t’iu zëvendësohej me gjobë në shumë prej 10 mijë euro.

Po ashtu, me gjashtë 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Muhadri dhe Cenaj, por me pëlqimin e tyre, ky dënim do t’iu zëvendësohej me gjobë në shumë prej 8 mijë euro.

Kurse, për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, i akuzuari Pozhegu është dënuar me 18 mijë euro gjobë.

Tutje, të akuzuarve Haliti, Canolli dhe Shala iu ishin konfiskuar pasuritë e fituara me kryerjen e veprave penale.

Të pakënaqur me dënimet e shqiptuara ankesë kishin ushtruar në Gjykatën e Apelit, edhe të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre, duke kërkuar për të dytën herë pafajësinë.

Më 19 gusht 2021, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin e shkallës së parë me 3 vite burgim  dhe 42 mijë euro gjobë ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës të akuzuar për korrupsion si dhe ndaj pronarit të kompanisë “Pozhegu Brothers”, Qemajl Pozhegu. Ndërsa, në mungesë të provave i ka lënë të lirë gjashtë inspektorë tjerë të akuzuar se nuk kishin ndalur ndërtimet pa leje prej vitit 2010 deri më 2014 ndaj tetë ndërtuesve në kryeqytet.

Kundër vendimit të Apelit, mbrojtësit e të akuzuarve Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit i ka aprovuar këto kërkesa dhe çështjen e ka kthyer ne rigjykim dhe rivendosje në shkallë të parë vetëm për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ndërsa, kjo gjykatë kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Qemajl Pozhegu.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.

10 ish-inspektorët thuhet se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të akuzuarit thuhet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, në këtë rast i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohej për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal.