Cult

“Rigjallërimi i kalasë së Pogragjës”, arkitekti Sylejmani shpalos një projekt gjigant

04/01/2023 22:30
nga:Mergim Rreci

Kalaja e Pogragjës është një monument i trashëgimisë kulturore në Komunën e Gjianit. Ky monument është i miratuar dhe takon kategorisë “arkeologjike”. Kalaja e Pogragjës gjendet 10 kilometra në jug-lindje të Gjilanit, në Kosovë dhe është një kala e tipit kodrinor.

Deri më tash është ruajtur pirgu kryesor me një lartësi pre 13 metrash, disa kulla vrojtuese dhe 44 metra të murit të parë, shkruan Gazeta Enigma.

Në majën më të lartë të kodrës te Blinaja, gjenden kulla me katër koka, lartësia e të cilave mbahet deri në 10 m, muri perëndimor, dera dhe një dritare – shtegu janë ruajtur. Qyteti është përafërsisht katërfish, me tre kulla të vogla në perëndim, në veri dhe në verilindje. Muret e qytetit ruhen pjesërisht deri në 4 metra të lartë.

Kalaja e Pogragjës përbëhet nga komponentë , siç janë muri i parë dhe muri i dytë rrethues, tri kullat katërkëndëshe, vrojtuese dhe njëkohësisht të vendosura në murin e dytë rrethues dhe kulla qendrore.

Megjithatë, pavarësisht lashtësisë së saj, numri i vizitorëve në këtë vend është mjaft i vogël, për të mos thënë fare të interesuar.

Arkitekti i njohur gjilanas, Besian Sylejmani ka vendosur të punoj një projekt i cili do ta rigjallëronte kalanë dhe do ta shndërronte atë në një vend atraktiv për gjithë vizitorët dhe turistët e huaj.

“Zgjedhja për kalanë është bërë si propozim për rigjallërimin e zonës së kalasë, pasi ka mbetur e braktis me shekuj të tërë. Kalaja ëhtë menduar të ringrihet siç ka qenë, por jo me material guri, por me material qelqi translucent me konstruksion metalik, në mënyrë që të fitohet efekti i kalasë së mëparshme. Kurse platoja për qëndrim përpara kalasë është nga elementet e para fabrikuara sistem montazh që mund të hiqet lehtë. Villat janë nga konstruksioni i çelikut, i cili po ashtu mund të demontohen lehtë”, deklaroi fillimisht Sylejmani për Enigmën.

Ai më pas tregon se përse zgjodhi të bëntë një projekt të tillë, zbulon detaje të tjera nga ky projekt.

“Ky projekt ka shumë rëndësi, pasi mund të nxiste turizmin në këtë zone dhe po ashtu të krijonte ide për biznese të ndryshme lundrimit me kajak hicking, e të tjera. Poshtë zones së kalasë janë paraparë edhe pishina rekreative”, shtoi ndër të tjerash arkitekti Sylejmani.

Projekti është kryer në konsultime me njërin ndër arkitektët më të mirë shqiptar Arbër Sadiki, derisa ka nevojë për mbështetje financare për t’u realizuar një projekt i tillë.