Sporti

Rezzan Yettis: Milot Rashica ka kaluar të gjitha pritshmëritë me paraqitjet e tij, e pret një sezon ëndrrash në Ligën e Kampionëve

05/31/2023 09:30
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Galatasaray e ka fituar titullin kampion në Superligën e Turqisë.

Sulmuesi kosovar, Milot Rashica ishte njëri ndër futbollistët më të rëndësishëm tek kjo skuadër, si me golat, asistimet, por edhe me lojën e tij të përshtatshme në aspektin kolektiv.

Në fakt, fillimi i sezonit për Rashicën nuk ishte më i miri i mundshëm, por me kalimin e kohës, ai e ‘kapi’ formën e duhur dhe shkëlqeu me fanellën e skuadrës nga Stambolli.

Gazetarja e njohur turke, Rezzan Yettis tha për ‘GazetaBlic Sport’ se Milot Rashica i ka kaluar të gjitha pritshmëritë e drejtuesve të klubit, duke kaluar nga një futbollist që nuk e kishte të sigurtë pozitën e titullarit tek një futbollist kryesor tek formacioni i Okan Buruk

Kontributi i Milot Rashicës me fanellën e Galatasarayt i kaloi pritshmëritë. “Pritshmëritë” është fjala kyçe këtu, sepse kur Rashica u huazua në fillim të sezonit, ishte e paqartë nëse do të ishte titullar. Sidomos pas lëndimit të tij, njerëzit filluan ta kritikojnë ashpër. Me kalimin e javëve ai nuk ishte në planin e parë, por shtoi minutat e tij dhe më pas u vendos në formacionin bazë. Me rritjen e vazhdimësisë së lojës dhe kontributit të tij për golat, ai u bë një nga lojtarët kryesorë të Okan Buruk”, tha fillimisht ajo.

Më pas, ajo foli edhe për të ardhmen e Rashicës, ku tha që sipas të gjitha gjasave, sulmuesi kosovar pritet të jetë pjesë e skuadrës, atje ku kërkojnë edhe suksesin në kompeticionin më të madh evropian për klube, Ligën e Kampionëve.

Rashica është lojtar i Norwich City-t, por ka shumë mundësi që sezonin e ardhshëm të bëhet lojtar i plotë i Galatasaray-t. Duket se do të ketë negociata të vështira për këtë çështje. Pas një sezoni të suksesshëm dhe mbresave të mira, emocionet e Ligës së Kampionëve mund të jenë ndër ëndrrat e Rashicës. Prandaj, Galatasaray është zgjedhja e parë për Rashicën në Turqi. Po, ka pasur thashetheme edhe për Fenerbahçen. Por nuk ishte zyrtare“, përfundoi Yettis.

/GazetaBlic Sport/