Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për rezultatet e Kosovës në PISA, e cila renditet në vendet e fundit.
Ai thotë se këto rezultate nuk e gëzojnë askënd, por që s’duhet drejtuar gishtin te asnjëra palë.
Jasharaj i bën thirrje ministres Nagavci që t’i lë anash inatet e grevës e të ulen bashkë për të parë se ç’duhet bërë.
“Lajmi i sotëm i publikuar për rezultatin e Kosovës në testin PISA nuk e gëzon askënd, të gjithë ndihemi keq, por uroj që ky lajm të mos përdoret për të drejtuar gisht nga cilado palë, por i bëj apel përmes medias suaj ministres Nagavci që t’i lë inatet e grevës dhe të ulemi bashkë të gjithë, fillimisht Akademia e Shkencave dhe Arteve, sepse konsiderohet me kokat më të ditura të vendit tonë, përfaqësuesit e SBASHK-ut që janë ekspertë në arsim, Këshilli i Prindërve dhe MASHT-i dhe të gjitha palët që ndërlidhen me arsimin dhe të shohim bashkërisht çfarë duhet bërë, çfarë duhet ndryshuar, në mënyrë që në testin e radhës mos të dalim keq siç dolëm dhe tani”, thotë ai për Gazeta Blic.
Kreu i SBASHK-ut shton se faji nuk duhet t’u lihet mësimdhënësve për këto rezultate.
“Nëse vazhdohen praktikat e herëve të kaluara kur publikohej rezultati i testit dhe pastaj bëhej me gisht ndaj mësimdhënësve. U pa se nuk shënohet asnjë arritje, përpos një zhurme e fyerjeve të ndërsjella që do të bëhen dhe pastaj do të na vijë përsëri testi PISA dhe jemi këtu ku jemi tani. Pra, për ta ndryshuar gjendjen dhe për të qenë më mirë në testin PISA, duhet të ulemi të gjitha palët bashkë dhe të punojmë, të angazhohemi bashkë, të marrim detyra konkrete, të japim ide konkrete dhe ta krijojmë një front të përbashkët”, vlerëson Jasharaj.
Madje, ai i bën thirrje edhe Qeverisë Kurti që të ndajë mjete për t’i përmirësuar kushtet e punës në shkollat tona.
“Dhe për të arritur rezultate më të mëdha, Qeveria Kurti duhet të ndajë mjete të mjaftueshme për t’i përmirësuar kushtet e punës në shkollat tona, ngase beteja e mirëfilltë dhe e suksesshme dhe pritjet e mëdha që janë të arsyeshme, nuk mund të arrihen me shpuzë e shkumës, e libra e tekste shkollore, një pjesë e të cilave janë edhe të vjetruara. Pra, duhet shikuar kurrikulën, duhet zëvendësuar librin me mjete bashkëkohore teknologjike me laptopë e projektorë, në mënyrë që shkolla e Kosovës t’i ngjajë shkollave të shekullit 21 dhe kjo arrihet me vullnet të përbashkët, pa fyerje, pa drejtuar gisht, pa kërkuar fajtorë, por të ulemi bashkërisht, që të jemi dukshëm më të mirë në të ardhmen, edhe në testin PISA edhe në testet tjera ndërkombëtare”, deklaron Rrahman Jasharaj./Gazeta Blic/


