Lajme

Reshjet rrisin prodhimin, Shqipëria shet energji në tregun e huaj

01/09/2026 17:04
nga:Y I

Reshjet e ditëve të fundit kanë përmirësuar situatën e prodhimit të energjisë elektrike ndërsa prurjet në Kaskadën e Drinit kanë shënuar nivele të larta.

Për këtë arsye, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur procedura për të shitur energji elektrike në tregun e huaj.

Përmes një procedure të zhvilluar për periudhën 10–11 janar, KESH ka arritur të shesë 19 000 megavat-orë energji, me çmim mesatar 57.6 euro, duke gjeneruar rreth 1.1 milionë euro të ardhura.

Ndërkaq, sipas të dhënave të përditësuara mbi situatën në Kaskadën e lumit Drin, prurjet natyrore në Fierzë janë 1500 m³/s, në Koman 500 m³/s, ndërsa në hidrocentralin e Vaut të Dejës 60 m³/s. Në raport me një ditë më parë, prurjet natyrore kanë shënuar rënie të ndjeshme. Ndërkohë, prodhimi ditor në të tre HEC-et është 16 300 MWh dhe, në krahasim me një ditë më parë, vihet re një rritje e prodhimit ditor, sipas të dhënave të raportuara nga KESH.

Sa i takon niveleve në liqenet e Kaskadës së Drinit, Fierzë ka arritur nivelin 290 metra mbi nivelin e detit, Koman 173 m, ndërsa Vau i Dejës 75 m. Po ashtu, KESH njofton se po vazhdojnë shkarkimet nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës.

Ditët e para të këtij viti tregojnë për një situatë krejt tjetër nga ajo e vitit të kaluar, kur për shkak të mungesës së reshjeve të shiut, KESH kërkonte të blinte energji elektrike jashtë vendit./Euronews Albania/