Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj ka folur sot për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar.
Ajo e ka parë këtë Projektligj me shumë probleme, pasi që sipas saj lindja e fëmijës me IVF mund të qoj deri tek incesti.
“A e dini çka ndodhë nëse fëmijës pas moshës 18 vjeçare që është krijuar nga IVF nuk e njeh prindin gjenetik. Duke pasur parasysh sa e kemi numrin e popullsisë, dhe duke u zvogëluar popullata, probabiliteti i martesës së një fëmije të një vëllai me një motre është shumë i madh”, tha Reshitaj në RTV Dukagjini.
Reshitaj tha se kjo është tejet shqetësuese.
“Krijimi i mundësisë për të pasur martesa mes vëllait dhe motrës pastaj për të pasur fëmijë me anomali kongjenitale është shumë e madhe. Për mua është një Hiroshimë dhe Nagasaki”, u shpreh Reshitaj.
Ndryshe, Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar, vazhdon të jetë problematik për deputetët në Kuvendin e Kosovës.
Menjëherë pas Kodit Civil, ligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar është i dyti në listë si mollë sherri mes deputetëve të shumicës.
Akoma vazhdon të mos kalojë në lexim të dytë ky projektligj tashmë problematik, duke u gjendur para votave kundër, abstenime e mospjesëmarrjeve në votim.
Për fertilizimim e asistuar për gratë që nuk arrijnë shtatzëni të dëshiruar me rrugë natyrore nuk po pajtohen të gjithë deputetët.
Dertin më të madh e kanë me faktin se ligji do të vlente edhe për gratë e pa martuara.


