Nga 2003 deri në 2022, 1668 gazetarë u vranë në botë, mesatarisht 80 në vit, dhe vendet më të rrezikshme për këtë profesion ishin Siria dhe Iraku, sipas një raporti të Reporterëve pa Kufi (RSF). “Në 20 vjet, 578 gazetarë u vranë në ato dy vende të prekura nga lufta, që është më shumë se një e treta e të gjithë gazetarëve të vrarë”, thuhet në raport.
Vendet më të rrezikshme për gazetarët janë Meksika (125 gazetarë të vrarë), Filipinet (107), Pakistani (93), Afganistani (81) dhe Somalia (78). Vitet më të zeza ishin viti 2012, kur u vranë 144 gazetarë dhe 2013, kur u vranë 142 gazetarë, veçanërisht gjatë konfliktit në Siri. Një lloj “përgjumjeje” vjen me 2019-ën, shton shoqata për mbrojtjen e lirisë së medias, por numri i të vrarëve filloi të rritet sërish në vitin 2022 për shkak të luftës në Ukrainë.
Këtë vit u vranë 58 gazetarë dhe vitin e kaluar 51. Që nga pushtimi rus në Ukrainë, tetë gazetarë janë raportuar të zhdukur. Në atë vend janë vrarë 12 gazetarë në 19 vitet e mëparshme dhe është vendi i dytë më i rrezikshëm në Evropë për gazetarët, pas Rusisë, ku janë vrarë 25 gazetarë në 20 vitet e fundit, përfshirë Ana Politkovskën, e cila u likuidua në tetor 2006.
RSF deklaron se me ardhjen e Vladimir Putin në pushtet, sulmet dhe atentatet ndaj gazetarëve janë bërë më të shpeshta. Me tetë gazetarë të vrarë, Franca e ka vendosur veten në vendin e katërt më të rrezikshëm në Evropë, pas Turqisë, pas sulmit në redaksinë e Charlie Hebdo në Paris në vitin 2015.
Në nivel global, gjatë 20 viteve të fundit, më shumë gazetarë janë vrarë në zonat e paqes sesa në zonat e luftës dhe vdekjet e tyre janë të lidhura me hetimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin. Pothuajse gjysma e gazetarëve të vrarë në vitin 2022 janë nga kontinenti amerikan, dhe vendet më të rrezikshme janë Meksika, Brazili, Kolumbia dhe Hondurasi.


