Lajme

Rënie temperaturave dhe stuhi me shi e breshër, parashikimi i motit për këtë fundjavë dhe dy javët e ardhshme

06/29/2024 07:19
nga:Sh R

Mot më stabil pritet të mbretërojë sot në vend, me intervale më të gjata me diell dhe më nxehtë, sipas “Mendimi për motin”.

Ditën përreth viseve malore mund të ketë zhvillime të vransirave të pakta, por pa mundësi për të reshura. Temperaturat minimale zbresin në 14C e 16C, e ato maksimale gjatë ditës shkojnë në 29C e 31C. Mot i nxehtë dhe kryesisht me diell parashihet edhe përgjatë ditës së diel dhe të hënë, me maksimale që kapin vlera edhe deri në 33C e 34C.

Nga dita e martë sërish pritet përkeqësim i motit, me zhvillime të mundshme edhe të stuhive me shi e breshër në pjesë të vendit. Temperaturat zbresin në 28C. Rrebeshe e bubullima priten edhe të mërkurën orëve të pasdites.

“Periudhë jostabile e motit po paraqitet edhe përgjatë mesit të javës së ardhshme, me kushte për zhvillime edhe të ndonjë stuhie me shi e breshër, me gjasë ditën e martë, derisa të mërkurën e të enjten rrebeshe shiu e bubullima në pjesë të vendit. Temperaturat pësojnë rënie të ndjeshme nën mesatare, deri në 22C e 23C, ditën e enjtë. Kushte për ndonjë rrebesh shiu mbeten ditën e premtë, derisa fundjava e ardhshme, sërish mund të përshkohet nga mot më stabil, dhe një rritje të temperaturave deri në 31C e 32C”, thuhet në njoftim.

Me kushte të motit stabil, mund të filloj edhe java e dytë e korrikut, porse nga pjesa e dytë mund të paraqiten kushte jostabile, për zhvillime të rrebesheve, ndërsa temperaturat, në bazë të këtyre trendeve, mbeten mbi mesatare prej 30C e 33C.