Pa marrë në konsideratë emigracionin, popullsia e Shqipërisë po shkon drejt tkurrjes së natyrshme prej rënies sistematikë të lindjeve dhe rritjes së vdekshmërisë së fundi edhe prej pandemisë COVID-19.
Sipas të dhënave të INSTAT numri i lindjeve për tremujorin e tretë 2021 është 7.404, duke shënuar një rënie me 7,5 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2020.
Numri i vdekjeve për tremujorin e tretë 2021 rezulton 6.037, duke shënuar një rënie prej 8,9 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2020.
Shtesa natyrore e popullsisë (diferenca midis lindjeve dhe vdekjeve) në tremujorin e tretë 2021, është pozitive me 1.367.
Tirana me shtesën më të lartë natyrore, Vlora më të ultënNë tremujorin e tretë 2021 gjashtë qarqe të vendit shënuan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në gjashtë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.
Në tremujorin e tretë 2021 vlera më e lartë e shtesës natyrore regjistrohet në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 1.085 numrin e vdekjeve, ndërsa ai më i vogël regjistrohet në qarkun e Vlorës, ku vdekjet tejkalojnë me 152 numrin e lindjeve.
Në tremujorin e tretë 2021 vetëm një qark i vendit ka shënuar rritje të numrit të lindjeve, ndërsa në njëmbëdhjetë të tjerat numri i lindjeve është ulur, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Në tremujorin e tretë 2021 numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 2.521 lindje, ndërsa ai më i vogël në qarkun e Gjirokastrës, me 114 lindje.
Në tremujorin e tretë 2021 nëntë qarqe të vendit kanë shënuar ulje, ndërsa tre qarqet e tjera kanë shënuar rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Në tremujorin e tretë 2021 numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 108 vdekje, ndërsa ai më i madh në qarkun e Tiranës, me 1.436 vdekje.
Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të tretë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Dibrës me – 30,6 %. Rritjen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të tretë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Vlorës me 15,5 %.