Këtë të diel (17 tetor), në Kosovë janë mbajtur Zgjedhjet Lokale 2021, në tërë territorin e Kosovës.
Në zgjedhjet komunale të 17 tetorit, janë zhvilluar zgjedhjet në 38 komuna, ku 17 prej komuna kanë shënuar fitore të partive, ndërsa 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë.
Për dallim nga zgjedhjet nacionale, befasuese për Lëvizjen Vetëvendosje ishin rezultatet e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Partia e udhëhequr nga Albin Kurti, e cila aktualisht ndodhet në pushtet në nivel qendror, nuk ka arritur të fitojë asnjë komunë në raundin e parë, ndërsa në raundin e dytë kjo parti garon në 12 komuna të ndryshme.
Përkundër faktit që ka arritur të radhitet e para në tri komunat më të mëdha si: Prishtina, Prizreni dhe Gjilani, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka fituar asnjë komunë pa balotazh dhe ka pësuar rënie nga 50 për qind në zgjedhje nacionale, në 22 për qind sa ka arritur të fitojë në zgjedhje lokale, zgjedhje kto të zhvilluara brenda vitit, me diferencim prej tetë muajsh.
Përtej këtij fakti, befasues është edhe deklarata e të parit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit edhe kryeministrit, Albin Kurti, pas ceritifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.
Për Kurtin këto rezultate janë të kënaqshme, dhe që sipas tij dëshmojnë pozitën në të cilë ndodhet Lëvizja Vetëvendosje si subjekti i parë më i madh në vend dhe në Kuvend, si dhe sipas tij tashmë në nivel lokal.
Kurti, komunat në të cilat Vetëvendosja ndodhet në balotazh i sheh të fituara nga kjo parti.
“Jemi të kënaqur më këtë që kemi arritur. Para një dekadë kur kemi pasur përfaqësuesit e parë në institucion ishim të tretët brenda 10 vjetëve jo vetëm që jemi grup më i madh parlamentarë por edhe jemi subjekti më i madh se tri partitë e vjetra së bashku. Tash jemi të parët edhe sa përket zgjedhjeve parlamentare edhe sa për këtë zgjedhjeve lokale. Tash që jemi të parët na bënë më të kënaqur sepse kurrë nuk kemi qenë më të parët. Në balotazh synojmë fitore. Problemet lokale janë të natyrave të tilla. LVV-ja është dhe vazhdon të jetë subjekti më i madh në vend edhe në Kuvend e tash edhe në nivel lokal”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Kurti.
Pak më ndryshe se Kurti, mendon analistja, Donika Emini, ku sipas saj edhe pse është vështirë të krahasohen zgjedhjet nacionale me ato lokale, mund të vërehet lehtë rënia e Lëvizjes, pasi sipas saj ajo nuk ka arritur të fitojë asnjë komunë.
“Po është shumë e vështirë me u mat, sepse zgjedhjet nacionale nuk janë njejtë me ato lokale, , është shumë vështirë me u krahasu me kaq lehtësi , por normalisht që nuk ka fitu asnjë komunë Vetëvendosja”, tha në një prononcim për lajmi.net.
Emini, përkundër faktit që komunat në të cilat Lëvizja Vetëvendosje ka shkuar në balotazh, sipas saj kanë potencial të rëndësishëm si: Prishtina, Prizreni e Gjilani, ajo mendon që rezultatet e tilla varen nga kandidatët, në të cilët sipas saj nuk mund të kenë pritshmërinë sikur në nivel qendror.
“Ka fituar në balotazhe në komunat që megjithatë janë komuna tepër me rëndësi, edhe komuna te mëdha, nëse e sheh në këtë pikëpamje ku komunat që kanë potencial shumë të madh si janë në Prizren, Prishtinë edhe në Gjilan, kshtu që për raundin e parë duket ende që qytetari ka qenë i pavendosur dhe kjo për elemente të ndryshme përfshirë dhe faktin që zgjedhjet lokale varen shumë prej edhe nga kandidatët edhe jo domosdoshmërisht receptohet pritshmëria në nivel qendror”, ka shtuar ndër të tjera Emini.
Një tjetër penalizim të këtyre zgjedhjeve për Vetëvendosjen, ajo e sheh edhe menaxhimin e pandemisë nga qeveria aktuale, si dhe sipas saj një rol të madh në këtë humbje luan edhe diaspora, e cila sipas saj kësaj radhe nuk i ka qëndruar pranë Vetëvendosjes.
“Edhe në nivel qendror nuk është se nuk ka pasur pakënaqësi ndaj Lëvizjes për mënyrën se si janë menaxhuar disa çështje sidomos ajo me pandeminë kjo edhe pak a shumë ka refkletu në votën e qytetarit, megjithatë ktu duhet me shtu edhe diasporën, që kësaj here i ka mungu Vetëvendosjes, zakonisht ata kanë qenë në mënyrë të organizume pro-Vetëvendosjes dhe kjo nuk ka ndodhë ksaj here që ka reflektu në rezultatin e partive në përgjithësi”, ka përfunduar Emini.
Zgjedhjet e raundit të dytë pritet të mbahen me 14 nëntor, ku do të garojnë 21 komuna, ndër to edhe kryeqyteti, ku në balotazh takohen Lëvizja Vetëvendosje, me kandidatë Arben Vitinë dhe Lidhja Demokratike, me kandidatë Përparim Ramën.