Thuhet se ai ishte djali i preferuar i nënës së tij, mbretëreshës Elizabeth II, por prej vitesh ish-princi Andrew ka qenë një problem i vazhdueshëm për familjen mbretërore britanike.
Andrew Mountbatten-Windsor u arrestua të enjten, në ditëlindjen e tij të 66-të, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës publike, në një hetim që lidhet me marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein-in. Ai është anëtari i parë i rangut të lartë i familjes mbretërore britanike në historinë moderne që ndalohet nga policia.
Ai lindi princ në vitin 1960, si fëmija i dytë i mbretëreshës dhe bashkëshortit të saj, princit Philip. Vëllai i tij më i madh, Charles, ishte i destinuar për fronin. Andrew ndoqi rrugën klasike për djemtë më të vegjël të familjes mbretërore: shërbimin ushtarak.
Pas 22 vitesh në Marinën Mbretërore, përfshirë operacione luftarake si pilot helikopteri gjatë Luftës së Falklands në vitin 1982, Andrew u emërua përfaqësues special i Britanisë për tregtinë dhe investimet ndërkombëtare në vitin 2001. Hetimi aktual policor lidhet pikërisht me atë periudhë. Ai vjen pas publikimit të dokumenteve të reja nga dosjet Epstein, që sugjerojnë se Andrew i kishte kaluar dokumente zyrtare qeveritare financierit të ndjerë gjatë kohës që ishte i dërguar tregtar. Ish-princi nuk është akuzuar për ndonjë krim dhe prej kohësh ka mohuar çdo shkelje lidhur me Epstein-in.
Mountbatten-Windsor u detyrua të largohej nga roli tregtar në vitin 2011, mes shqetësimeve në rritje për miqësinë e tij me Epstein-in, i cili ishte dënuar në vitin 2008 me 18 muaj burg pasi pranoi fajin për shfrytëzim të një të miture për prostitucion.
Dikur objekt kurioziteti mediatik për jetën e tij sentimentale, i njohur nga tabloidet si “Randy Andy”, ai u bë më pas burim i vazhdueshëm titujsh për problemet financiare dhe lidhjet me figura të dyshimta, përfshirë Epsteinin-in.
Pas arrestimit të dytë të Epstein-it në vitin 2019, Andrew dha një intervistë të dështuar për BBC Newsnight, ku u përpoq të justifikonte kontaktet e tij me të. Intervista pati efekt të kundërt dhe ai u kritikua ashpër për shpjegime të pabesueshme dhe mungesë empatie ndaj viktimave.
Me 20 nëntor 2019, nën presionin publik, Andrew njoftoi se po hiqte dorë nga detyrat publike dhe rolet bamirëse “për një kohë të pacaktuar”.
Në gusht 2021, një nga viktimat e Epstein-it, Virginia Giuffre, e paditi Andrew-n në një gjykatë në Nju Jork, duke pretenduar se princi kishte kryer marrëdhënie seksuale me të kur ajo ishte e mitur. Andrew i mohoi akuzat, por iu hoqën të gjitha titujt ushtarakë dhe angazhimet bamirëse mbretërore.
Çështja u mbyll me një marrëveshje financiare për një shumë të pazbuluar. Edhe pse nuk pranoi fajësinë, Andrew pranoi vuajtjet e Giuffre-s si viktimë e trafikimit seksual. Giuffre vrau veten në prill 2025, në moshën 41-vjeçare.
Historia nuk përfundoi aty. Pasi dolën emaile vitin e kaluar që tregonin se Andrew kishte mbajtur kontakte me Epstein-in më gjatë sesa kishte pranuar, mbreti Charles III ia hoqi vëllait titullin princëror, nderimet e tjera dhe banesën në Royal Lodge në Windsor.
Tani ai ndodhet në paraburgim. Ai mbetet i teti në radhën e trashëgimisë së fronit britanik.


