Lajme

Rënia e kulmit të ndërtesës së Komunës, reagon profesori Latifi: Shumica e ndërtesave janë ndërtuar shkel e shko

01/18/2024 15:58
nga:N K

Profesori Blerim Latifi ka thënë se objekti i Komunës së re të Prishtinës është ndërtuar “shkel e shko”.

Në një reagim ndaj rënies së kulmit të ndërtesës së Komunës së re, profesori Latifi ka thënë se shumica e objekteve publike dhe pallateve të banimit janë ndërtuar me cilësi të dobët.

“Bie çatia e objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëria. Fakti se kjo nuk ndodhi për shkak të ndonjë ere të fuqishme, tregon se ky objekt i ndërtuar tash vonë, është ndërtuar shkel e shko. Si shumica e ndërtesave të tjera publike dhe pallateve të banimit”, ka thënë Latifi.

“Njerëzit që marrin vesh nga kjo punë thonë se shumica e ndërtimeve të larta të pasluftës janë bërë pa marrë parasysh llogaritjet sizmike, pra llogaritjet e qëndrueshmërisë në rastet e tërmeteve. Fatmirësisht zona e Prishtinës nuk është zonë me shkallë të lartë sizmike, se përndryshe një tërmet si ata që ndodhin në Japoni ose Turqi, do ta kthente gjithë qytetin në një gërmadhë masive”, ka thënë ai.

Latifi ka thënë se “fati i mirë i ardhur nga kjo rastësi gjeologjike nuk do të thotë se është i garantuar edhe në të ardhmen”.

“Vetëm pak kilometra në jug të Prishtinës ndodhen rrënojat e Ulpianës, qytetit madhështor të Dardanisë, për të cilin interesohej edhe Roma e perandorit Trajan dhe Konstandinopoja e Justinianit”, ka thënë Latifi.