Opinionisti, Daut Dauti, ka shkruar në Faecebook se Mbreti i Britanisë së Madhe, Charles III, të shtunën e ka dekoruar Remzije Zeka Sherifin me titullin OBE (Order of the British Empire).
Dauti që jeton në Britani të Madhe ka thënë se ky është një ndër çmimet “që u jepet personaliteteve të rëndësishme që gjatë vitit tregojnë suksese të mëdha në punën e tyre”.
Zeka-Sherifin është shqiptarja e parë që dekorohet me këtë çmim dhe nga Mbreti.
“Ky është lajmi më i mirë i këtij viti, jo vetëm për shqiptarët në Britani të Madhe, por kudo që janë. Mikja ime, Remzija, është nga Gjilani, por jeton në Skoci dhe për punën e saj ka qenë e dekoruar me shpërblime të larta edhe më herët. Kësaj radhe mbreti Charles III e ka dekoruar Remzijen për shërbimet e saja në integrimin e refugjatëve”, ka shkruar ai në Facebook.


