Sporti

Rekordi negativ, Barcelona e regjistron vetëm për herë të dytë në historinë 124-vjeçare

12/18/2023 14:06
nga:Lorik J

Barcelona e këtij sezoni është karakterizuar me shumë ulje e ngritje që nuk e kanë lejuar skuadrën e Xavi Hernandez të arrijë rezultatet e dëshiruara. Pavarësisht se kaluan si të parët grupin në Champions League, në kampionat skuadra lë një “shije të hidhur” me blaugranat që aktualisht janë në vendin e tretë me shtatë pikë pas Real Madrid që kryeson tabelën e klasifikimit në pritje të ndeshjes së Gironës.

Në mes këtyre “turbullirave”, ekipi i drejtuar nga Xavi Hernandez regjistron edhe një rekord negativ, pasi për vetëm herën e dytë në historinë 124-vjeçare të klubit spanjoll, Barcelona në 17 ndeshjet e fundit nuk ka mundur të fitojë me më shumë se një gol diferencë.

Nga këto ndeshje të këtij sezoni mes kampionatit dhe Champions League, Barcelona ka regjistruar katër humbje dhe katër barazime, por në rastet kur ia ka dalë të fitojë ndeshjen ka mundur të realizojë vetëm një gol më shumë se kundërshtari. Për të gjetur një fitore bindëse të katalanasve duhet të kthehemi në ndeshjen e datës 19 shtator kur Barcelona mposhti në Champions League, belgët e Antëwerp me shifrat 5-0.

Hera e parë kur u regjistrua një statistikë e tillë i përkiste sezonit 1962/1963, periudhë në të cilën Barça arriti në 18 ndeshje të cilat i fitonte me vetëm një gol më shumë se kundërshtari. Ndeshja e radhës për të besuarit e Xavi Hernandez është ajo ndaj Almerias në shtëpi më datë 20 dhjetor, që duket edhe si kundërshtari i duhur për ta kaluar këtë periudhë e për të mos barazuar rekordin negativ.

/ss