Lajme

Rekord pas rekordesh: Mbi 4.5 milionë pasagjerë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

04/06/2026 14:45
nga:Genita C

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës Adem Jashari ka shënuar një rritje të vazhdueshme të numrit të pasagjerëve gjatë viteve të fundit, duke arritur nivele rekord në vitin 2025, sipas të dhënave për periudhën 2011–2025.

Të dhënat tregojnë se trafiku i pasagjerëve ka ndjekur një trend të përgjithshëm në rritje.

Në vitin 2021, numri i pasagjerëve u rrit me 97 për qind, duke arritur në mbi 2.17 milionë. Rritja vijoi edhe në vitet pasuese: 2.98 milionë në vitin 2022 (+37%), 3.42 milionë në vitin 2023 (+14%) dhe 4.07 milionë në vitin 2024 (+19%).

Kulmi është arritur në vitin 2025, me 4.59 milionë pasagjerë, që përfaqëson një rritje prej 13 për qind krahasuar me vitin paraprak dhe nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.

Edhe lëvizjet ajrore (ATM – Air Traffic Movements) pasqyrojnë të njëjtin trend pozitiv. Nga 13,476 lëvizje në vitin 2011, numri u rrit në 17,350 në vitin 2019, përpara se të pësonte një rënie të përkohshme në vitin 2020. Më pas, sektori u rikuperua me ritme të shpejta, duke arritur në 29,032 lëvizje në vitin 2025, një rritje prej 12 për qind krahasuar me vitin 2024.

Në tërësi, zhvillimi i vazhdueshëm i trafikut ajror në Aeroportin e Prishtinës reflekton rritjen e kërkesës për udhëtime ajrore dhe forcimin e lidhjeve ndërkombëtare të Kosovës, duke e pozicionuar aeroportin si një nga nyjet më dinamike të transportit ajror në rajon.