Lajme

Refuzohet si e paafatshme ankesa e UP-së në rastin ku kërkohet kthimi i pronës ku gjendet Kisha Ortodokse Serbe

12/17/2021 19:35
nga:M K

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar ankesën e paditësit Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP), si të paaftshme në rastin ku e njëjta ka paditur Kishën Ortodokse Serbe, për kthimin në shfrytëzim të pronës në kampus, ku dhe gjendet kisha.

Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendim e ka refuzuar ankesën e UP-së, e cila e kishte bërë ndaj aktvendimit të 26 gushtit 2021, me të cilën kjo gjykatë e ka hudhur poshtë padinë e UP-së ndaj Komunës së Prishtinës me arsyetimin se kësaj komune i mungon legjitimiteti pasiv në këtë kontest.

Në arsyetimin e këtij aktvendimi thuhet se në seancën e mbajtur më 24 nëntor 2021, pala paditëse nëpërmejt Avokatit të Shtetit ka bërë ankesë ndaj aktvendimit me të cilin gjykata e kishte hudhë poshtë padinë ndaj Komunës së Prishtinës.

Më tutje, në arsyetimin e këtij aktvendimi thuhet se me shiqimin e shkresave të lëndës, gjykata ka konstatuar se aktvendimin e 26 gushtit 2021, Avokati i Shtetit e kishte pranuar më 15 shtator 2021 dhe këtë ankesë thuhet se e kishte paraqitur në seancën e mbajtur më 24 nëntor 2021.

Po ashtu, në arsyetim thuhet se është i pakontestueshëm fakti se Avokati i Shtetit e kishte regjistruar këtë ankesë në protokollin e mbajtjes së shënimeve më 29 shtator 2021, mirëpo e njëjta thuhet se nuk ka prova se këtë ankesë e ka dorëzuar në gjykatë para seancës përgatitore të mbajtur më 24 nëntor 2021.

Andaj, mbi këtë bazë gjykata ankesën e palës paditëse kundër aktvendimit të 26 gushtit 2021 e ka konstatuar si të paafatshme.

Kundër këtij aktgjykimi është lejuar ankesë në Gjykatën e Apelit, përmes kësaj gjykate në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe lidhur me këtë rast, më 24 nëntor 2021 është mbajtur seanca përgatitore ku ishte ishte ndërprerë procedura nga gjykatësi Jovica Mitrovic, për shkak se sipas tij ASH-ja nuk mundet ta përfaqësojë UP-në si dhe derisa të vendoset lidhur me ankesën e së njëjtës për të cilën ai tha se ende nuk e kishte pranuar.

E paditur në këtë rast ka qenë edhe Komuna e Prishtinës, por ndaj të njëjtës gjykata e ka hudhur padinë, me arsyetimin se kësaj komune i mungon legjitimiteti pasiv në këtë kontest, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Padia në këtë rast është ushtruar më 29 nëntor 2015. Sipas padisë, Universiteti i Prishtinës ”Hasan Prishtina” në Prishtinë, që prej 12 dhjetorit 1975, e ka në shfrytëzim patundshmërinë në sipërfaqe prej 4.27.16 ha në Prishtinë, e cila gjatë gjithë kësaj kohe thuhet se është shfrytëzuar në mënyrë të papenguar, pasi që e njëjta ka qenë pjesë përbërëse e Kampusit Universitar sipas planit detal urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë.

Në padi thuhet se Komuna e Prishtinës, në kundërshtim me planin urbanistik, pa bazë juridike dhe në mënyrë të kundërligjshme ia ka dhënë në shfrytëzim tani të paditurës së vetme, Kishës Ortodokse Serbe “Xh.Sh Nikolla Xh. Serpska” në Prishtinë, e cila thuhet se duke e uzurpuar tani pjesën kontestuese në mënyrë të kundërligjshme e ka ndërtuar Kishën Ortodokse “Sveti Sava”, në sipërfaqe prej 0.54.12 ha, me oborr në sipërfaqe prej 3.73.04 ha.

Tutje, në padi thuhet se bazuar në këto fakte tani paditësi sipas ligjit në fuqi, si bartës i së drejtës së shfrytëzimit të patundshmërisë, e ka të drejtën e kërkesës për kthimin e tani patundshmërisë kontestuese, pasi që e njëjta thuhet se e ka pasur në shfrytëzim dhe posedim në mënyrë të ligjshme këtë pronë.

Po ashtu, në padi thuhet se sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, parashihet se për të gjitha ligjet vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.

Tutje në padi thuhet se këto veprime janë të kundërligjshme pasi që të njëjtat janë marrë nën masat e dhunshme nga autoriteti i dhunshëm ish-Këshilli Ekzekutiv Komunal, andaj sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, të gjitha ligjet vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.

Me anë të kësaj padie, UP-ja po kërkon nga gjykata që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e tij, të vërtetohet se i njëjti ka të drejtën e shfrytëzimit të patundshmërisë në sipërfaqen e përgjithshme prej 4.27.16 ha, në Prishtinë. Kërkon që prona t’i kthehet në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar, si dhe t’i kompensohen shpenzimet e procedurës.