Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, është refuzuar propozimi i prokurorisë për ekspertizë të tretë të ndërtimtarisë, në gjykimin ndaj të akuzuarve Almir Saiti, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhella dhe Drenushë Behluli-Mehmeti, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani ka thënë se propozimi i prokurorit Genc Nixha është refuzuar konform nenit 142 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Nixha tha se propozimin për një ekspertizë të tretë e bën për arsye se eksperti i ndërtimtarisë, Bujar Emra në raportin e tij të përpliuar ka shfrytëzuar në tërësi ekspertizën e mëparshme të ekspertit Mustafa Gjurgjealo, por për të njëjtën Emra nuk kishte dhënë arsyetim se përse nuk qëndron e njëjta.
Sipas Nixhës, për shkak të mendimeve të kundërta të ekspertizës së parë dhe të dytë, një ekspertizë e tretë do të precizojë se cila nga këto qëndron, ngase njëra thotë se objekti në fjalë nuk është stabil kurse mendimi tjetër thotë që i njëjti është stabil.
Ndryshe, në fillim të kësaj seance, eksperti i ndërtimtarisë Bujar Emra ka thënë se qëndron në tërësi pranë ekspertizës së përpiluar të ndërtimtarisë.
Për këtë ekspertizë, nuk kanë paraqitur vërejtje mbrojtësit e të akuzuarve Saiti, Bajrami, Përzhella dhe Behluli-Mehmeti, avokatët Hajrip Krasniqi, Rexhep Kabashi, Ruzhdi Berisha dhe Hazër Susuri.
Tutje, është dëgjuar eksperti financiar, Hamdi Kastrati, i cili ka thënë se qëndron në tërësi pranë ekspertizës financiare të përpiluar nga i njëjti.
Kastrati ia ka dorëzuar të gjitha palëve në procedurë shkresën në të cilën kishte precizuar urdhër-pagesat për secilën fazë të ndërtimit të objektit të Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Saiti, avokatit Krasniqi, eksperti Kastrati ka thënë se është i licencuar si ekspert gjyqësor, por që ekspertizave financiare nuk i ka bashkëngjitur licencën.
Kastrati ka thënë se gjatë përpilimit të ekspertizës financiare është bazuar në ekspertizën e ndërtimtarisë së ekspertit Gjurgjealo dhe të dhënat të tjera lidhur me mangësitë dhe të metat ekzistuese të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku këto të dhëna i kishte shfrytëzuar për përpilimin e ekspertizës për katër operatorë ekonomikë.
Tutje, ai ka treguar se në urdhër-pagesat nuk figuron emri por vetëm nënshkrimi i personit.
Në pyetjen e avokatit Krasniqi për numrin e urdhër-pagesave të nënshkruara nga i mbrojturi i tij Saiti, eksperti ka thënë se i njëjti nuk ka urdhërpagesë të lëshuar nga Saiti, por që ai ka nënshkruar propozimin në shumën prej 29 mijë e 500 euro, ku të njëjtin propozim e kishte lejuar ish-kryetari i Komunës.
Ndërsa, duke u përgjigjiur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Bajrami, avokatit Kabashi, eksperti ka thënë se nga operatori ekonomik NPT “Elshani” janë lëshuar 12 fatura dhe se fatura fundit e lëshuar është më 1 tetor 2012, në shumë prej 32 mijë e 918 euro.
Po ashtu, ai tha se sipas aneks-kontratës ndaj operatorit ekonomik NTP “Elshani” janë paguar tri fatura në shumën prej 22 mijë euro, 20 mijë euro dhe në shumën prej 5 mijë euro.
I pyetur se a ka parregullsi në tri faturat e aneks-kontratës, eksperti ka thënë se tri faturat janë të rregullta, por nga aspekti financiar në ekspertizësn e ndërtimtarisë është konstatuar se shuma e paguar prej 64.0006.47 euro është paguar për punimet e pakryera.
Seanca e radhës lidhur me këtë rast do të mbahet sipas ditarit të punës më 29 nëntor 2022.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Almir Saitit, Refki Muzbegut, Muhamet Bajramit, Hatixhe Përzhellës dhe Drenusha Behluli-Mehmetit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, Almir Saiti akuzohet se gjatë periudhës 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i caktuar si menaxher-drejtor i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Saiti edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet ashtu siç kanë qenë të parapara sipas kontratës edhe për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” nga fshati Metvec, Komuna e Prizrenit, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Ndërsa, sipas aktakuzës, Refki Muzbegu akuzohej se gjatë periudhës 22 tetor 2009 e deri më 30 qershor 2011, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Ai thuhet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë, të përshkruara më hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Në aktakuzë thuhet se edhe pse është vërtetuar se punimet nuk ishin kryer si duhet dhe siç kanë qenë të parapara sipas kontratës dhe për faktin se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës më 1 mars 2019, i njëjti ka lejuar pagesat.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Muhamet Bajrami akuzohet se gjatë periudhës 24 dhjetor 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Kurse, Hatixhe Përzhella akuzohet se prej periudhës dhjetor 2013 e deri më 27 maj 2014, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Shërbime Publike në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Kosova Erh-Kotori” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në tre raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 67 mijë e 633 euro, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Sipas prokurorisë, për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Drenusha Behluli-Mehmeti, ku ajo akuzohet se prej periudhës 3 nëntor 2017 e deri më 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për mbikëqyrjen e projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “NNT TONI” nga Malisheva, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në dy raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 64 mijë e 609 euro e 23 centë, të përshkruar hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragraf 1 të KPRK-së.
Ndërsa, i akuzuari Refki Muzbeg është liruar nga akuzat për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale.


