Lajme

Refuzohet propozimi i mbrojtjes për t’i dëgjuar nëntë dëshmitarë në rastin ‘Banjska’

01/16/2026 12:05
nga:Y I

jykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve të propozuar nga avokatja Jovana Filipoviq, duke vlerësuar se as pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës nuk tregojnë se i pandehuri ka pasur rol të drejtpërdrejtë gjatë datave kritike të përshkruara në parashtrimin e mbrojtjes.

Gjykata theksoi se dëshmitarët e propozuar nuk do të ndryshonin vlerësimin mbi fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit, i cili sipas aktakuzës akuzohet vetëm për rol ndihmues brenda grupit të akuzuar, raporton Betimi për Drejtës.

Po ashtu, u refuzuan edhe propozimet e mbrojtjes për nxjerrjen e ekspertizës për krahasimin e uniformave, pasi gjykata vlerësoi se një vlerësim i tillë mund të bëhet direkt nga përmbajtja e fotografive.

Në lidhje me pyetjen nëse arma ishte snajper apo pushkë gjuetie, gjykata tha se kjo nuk ka relevancë për të përcaktuar përfshirjen e Dushan Maksimoviq në grupin terrorist.

Kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni, deklaroi se arsyetimi më i detajuar mbi bazën ligjore dhe arsyeshmërinë e refuzimit të këtyre propozimeve do të përfshihet gjatë përpilimit të aktgjykimit.

Gjithsesi, propozimi i avokates Jovana Filipoviq për dëgjimin e dëshmitarit Millosh Radosajlleviq mbetet i validuar dhe do të mbahet, ashtu siç ishte miratuar paraprakisht nga kjo gjykatë.