Lajme

Refuzohet kërkesa e Haxhi Shalës për lirim me kusht

07/15/2025 11:01
nga:Y I

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë refuzuar kërkesën e Haxhi Shalës për lirim me kusht.

Vendimi është marrë nga kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova më 14 korrik 2025.

Sipas vendimit, Shala kishte parashtruar se kishte përmbushur gjysmën e dënimit më 11 qershor 2025 dhe se dy të tretat e tij do i përmbushte më 11 dhjetor 2025. Ai kishte thënë lirimi i tij duhej të shqyrtohej në përputhje me nenin 90 të Kodit Penal të Kosovës, i cili sipas tij e lejonte lirimin e tillë me kusht pas përmbushjes së gjysmës së dënimit të shqiptuar. Shala ishte transferuar në Hagë në dhjetor 2023.

“Z. Shala gjithashtu parashtroi se zbatimi i nenit 90 të KPK-së do të plotësonte një boshllëk që rrjedh nga neni 51 (2) i Ligjit, i cili parashikon mundësinë e ndryshimit apo modifikimit të dënimit, duke qenë se kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara nuk rregullon shprehimisht kur një ndryshim apo modifikim i tillë mund të jepet. Ai parashtroi se rregulli i dy të tretave parashihet vetëm për uljen e dënimit, dhe neni 10 i Udhëzimit Praktik nuk “nënkupton se Kryetarja mund të modifikojë ose ndryshojë dënimin” vetëm nëse ulja e dënimit nuk është konsideruar e përshtatshme”, thuhet në vendim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kundërshtuar këtë qëndrim duke pretenduar se Shala po përpiqet në mënyrë të gabuar të zbatojë këtë nen në kundërshtim me Ligjin për DhSK-së.

“ZPS më tej parashtroi se dispozitat e KPK-së nuk plotësojnë asnjë boshllëk, pasi kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara parashikon posaçërisht uljen, modifikimin dhe ndryshimin e dënimeve”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet se kryetarja e DhSK-së në disa raste të mëparshme kërkesat për shqyrtimin e uljes, modifikimit apo ndryshimit të dënimit bëhen të pranueshme për shqyrtim vetëm në rast se kanë përmbushur dy të tretat e dënimit.

Ndërsa, për argumentin e Shalës së neni 90 i KPK-së është i zbatueshëm në DhSK, kryetarja ka thënë se nuk mund të mbështetet.

Kryetarja thotë se letrat e shkëmbyera në mes Kosovës dhe BE-së, të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës, parashikojnë që strukturat e DhSK-së do të rregullohen nga statusi dhe rregullat e tyre të procedurës dhe provave, duke përfshirë edhe dispozitat për kufizimet në dhënien e faljeve, paraburgimit ose ekzekutimin e dënimeve jashtë vendit.

Kryetarja ka thënë në vendimin e saj se funksionimi i DhSK-së rregullohet ekskluzivisht me nenin 162 të Kushtetutës dhe kuadrit juridik lex specialist (që i referohet ligjit të veçantë për DhSK-në).

“Kjo përfshin Ligjin me referenca të posaçme për ligjet e aplikueshme të Kosovës, Rregullat dhe dokumentet tjera juridike të Dhomave të Specializuara, si udhëzimet praktike, të miratuara në përputhje me nenin 19 (6) të Ligjit. Sa i përket ligjeve të tjera të Kosovës të zbatueshme, neni 3 (4) i Ligjit përcakton shprehimisht se asnjë ligj tjetër i Kosovës, që nuk është përfshirë shprehimisht në Ligj, nuk do të zbatohet për organizimin, administrimin, funksionet apo juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Ekzekutimi i dënimeve, që përfshin edhe mundësinë e lirimit të parakohshëm, është pjesë përbërëse e administrimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendim.

Sipas kryetares Trendafilova, çdo ligj tjetër i Kosovës që nuk është përfshirë në Ligjin për DhSK-në, nuk është i zbatueshëm.

“…çdo ligj tjetër i Kosovës që nuk është përfshirë shprehimisht në Ligj nuk është i zbatueshëm para Dhomave të Specializuara sipas fjalisë së parë të nenit 3 (4) të Ligjit. Meqenëse kuadri i aplikueshëm para Dhomave të Specializuara nuk përfshin referencë për nenin 90 të KPK-së, çdo zbatim i tij do të ishte në kundërshtim me nenin 3 (4) të Ligjit dhe nenin 162 të Kushtetutës”, thuhet më tej në vendim.

Si rrjedhojë, kryetarja ka thënë në vendimin e saj se nuk qëndron pretendimi i Shalës se një boshëllëk i supozuar në kuadrin juridik të DhSK-së plotësohet me nenin 90 të KPK-së.

“Duke marrë parasysh si më sipër, kërkesa për përmbushjen e dy të tretave të dënimit është një kërkesë standarde për çdo kërkesë për ulje, modifikim apo ndryshim të dënimit sipas kuadrit rregullator të posaçëm përpara Dhomave të Specializuara”, thekson vendimi.

Si rrjedhojë, u refuzua kërkesa e Shalës si e papranueshme për shqyrtim pasi nuk i ka përmbushur dy të tretat e dënimit të tij.