Lajme

Refuzohen rreth 20% e aplikimeve nga jashtë Kosovës, KQZ-ja tregon arsyet

08/29/2025 11:53
nga:N K

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bënë të ditur se rreth 20% e aplikuesve nga diaspora për t’u regjistruar për votim me postë nga jashtë Kosovës, janë refuzuar pasi nuk kanë përmbushur kriteret e kërkuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Nga 23 korriku deri më 29 gusht 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar gjithsej 44,707 aplikime për regjistrim për votim me postë nga diaspora, përmes platformës elektronike diaspora.kqz-ks.org.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Gazeta Blic, ka bërë të ditur se nga ky numër janë aprovuar 36,299 aplikime, ndërsa 7,945 janë refuzuar. 

Sipas të dhënave të KQZ-së, komunat me numrin më të madh të votuesve të regjistruar nga jashtë Kosovës janë: Suhareka me 2,759 votues, Gjakova me 2,697, Deçani me 2,078, dhe Klina me 2,009. 

Në nivel të shteteve, Gjermania kryeson me 17,131 votues të regjistruar, pasuar nga Zvicra me 8,862. 

Elezi shtoi se shumica e aplikimeve të refuzuara kanë ardhur për shkak të mungesës së dokumenteve që dëshmojnë adresën e banimit jashtë Kosovës.

Dokumentet që kërkohen përfshijnë: dokument identifikues me adresë banimi, vërtetim nga autoriteti lokal, kontratë qiraje, fatura shërbimesh, dokumente bankare ose sigurimesh, apo dëshmi të tjera banimi në raste specifike (rezervim hoteli, konvikti etj.). 

 “Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës (dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti, etj), u deklarua Valmir Elezi nga KQZ.