Lajme

“Refuzimi i Ramës arrogancë e pakuptimtë – për Albin Kurtin, egoja është më e rëndësishme se Kosova”

07/17/2023 21:04
nga:G B

Kritika të shumta ka pasur në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për mos pjesëmarrje në takimin joformal të thirrur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot në Tiranë me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Sipas zyrës së kryeministrit, Kurti kishte konfirmuar shumë kohë më parë pjesëmarrjen në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, e cila rezultoi në të njëjtën ditë me takimin.

Lidhur me këtë, ish ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, thotë për Gazeta Blic se mos pjesëmarrja e tij kërkon shpjegime për arsyet e mëdha të Kurtit që ta refuzojë ftesën.

“Mospjesëmarrja e Kryeministrit të Kosovës në një konferencë të tillë me Kryeministra të rajonit, edhe i thirrur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, kërkon vetvetiu shpjegime për arsyet e mëdha pse Kryeministri i Kosovës e ka refuzuar atë”, thotë ai.

Sipas Arifit, Kurti nuk është transparent për konferencën në Greqi, pasi nëse nuk ka pasur ftesë zyrtare, refuzimi i Ramës është arrogancë e pakuptimtë ndaj tij dhe shpërfillje e perspektivës së Kosovës drejt BE-së.

“Kryeministri i Kosovës nuk është transparent dhe nuk tregon se në çfarë konference në Greqi po ia vlen më shumë se samiti i Tiranës. Nëse nuk është i ftuar në Greqi në mënyrë zyrtare nga krerët e shtetit grek, çdo takim tjetër do të ishte shprehje e mospërfilljes ndaj perspektivës së Kosovës drejt BE dhe arrogance e pakuptimtë ndaj Kryeministrit dhe shtetit shqiptar”, vlerëson Arifi për Gazeta Blic.

Ai potencon se raportet private mes Edit e Albinit nuk janë të rëndësishme për askënd, por arroganca e kryeministrit të Kosovës ndaj atij të Shqipërisë, nuk i bën nder vendit.

“Çfarë janë raportet private mes Edit dhe Albinit nuk ka rëndësi për askënd. Por, arroganca e pakuptimtë e Kryeministrit të Kosovës ndaj Kryeministrit të Shqipërisë, por edhe Kryeministrave të tjerë të rajonit, nuk i bën nder Kryeministrit e Kosovës”, deklaron Avni Arifi.

Ndërsa, Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, thotë se janë shumë arsye, por që të gjitha kanë emëruesin e përbashkët, që për Albin Kurtin, egoja e tij është më e madhe dhe më e rëndësishme se Kosova.

“Nuk është një arsye e vetme, mendoj të gjitha arsyet tensionet me Ramën dhe fakti që ai nuk e priti në Prishtinë herën e fundit, kanë ndikuar që ai në vend të Tiranes të zgjedh të shkojë në Greqi. Por që të gjitha së bashku kanë një emërues të përbashkët: për Albin Kurtin, egoja e tij është më e madhe dhe më e rëndësishme se Kosova”, deklaron Bilall Sherifi./Gazeta Blic/

Deputeti i VV-së: Kurti ka sjellje të burrështetasi, ka agjendë dhe takimi në Tiranë ishte joformal – dy fjalë dhe për opozitën