Lajme

“Refuzimi do të sjell sanksione”, analisti politik: Lajçak do të flet për Kosovën me akter të rëndësishëm nga Shtëpia e Bardhë

1 vitë më parë
nga:G C

Situata e tensionuar në veri të Kosovës do ta çojë në ëashington të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, ku sipas analistit politik, Fidan Ukaj, ftesa ka ardhë nga akterë të rëndësishëm nga Shtëpia e Bardhë, në mesin e përpjekjeve të shtuara të ndërkombëtarëve për të gjetur sa më parë një zgjidhje e për t`i rikthyer palët në tryezën e bisedimeve.

Ukaj në një prononcim për GazetaBlic thotë se do të ndërmerren veprime nga faktori ndërkombëtar, në mënyrë që situata të qetësohet.

Sipas Ukajt, nëse ndodhë refuzimi rrezikon edhe sanksionimi nga SHBA-të dhe BE-të.

“Vizita e Lajçakut në Amerikë, siç tha ai, do të shkoj në Uashington me ftesë të partnerëve të mi amerikanë, mendoj se është bërë nga një akterë shumë të rëndësishëm nga Shtëpia e Bardhë, që siç tha ai, do të kemi diskutime intensive për rrugën përpara dhe për hapat e menjëhershëm”, tha ai.

“Besoj se do të kemi masa të koordinuara dhe shumë më drastike nga faktori ndërkombëtar për qetësimin e situatës dhe rikthimin e palëve në dialog dhe në rast refuzimi mund të ketë sanksione të mëtejshme nga ana e faktorit ndërkombëtar, SHBA dhe BE”, tha Ukaj për GazetaBlic.

Kujtojmë se, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të biseduar për zhvillimet në veri të Kosovës.

Ai ka takuar zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana, dhe kanë rënë dakord për hapa të menjëhershëm për depërshkallëzim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Zhvillimet e fundit në rajon, në veçanti tensionet e larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe situata në veri të Kosovës, ishin në radarin e të gjithëve. Në fillim të kësaj jave, i informova kolegët e mi në Bruksel për vizitën time të fundit të përbashkët në rajon, situatën aktuale dhe rrugën përpara. Gjatë vizitës sime në selinë e NATO-s, u takova edhe me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mircea Geoana për të diskutuar situatën në veri të Kosovës, të dy ramë dakord se duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm për depërshkallëzimin”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ai do të shkojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u koordinuar për veprimet e radhës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Më tej e theksova këtë pikë teksa iu drejtova ambasadorëve të NATO-s dhe BE-së. Më pas do të shkoj në Uashington DC me ftesë të partnerëve të mi amerikanë. Ne do të kemi diskutime intensive për rrugën përpara dhe hapat e ardhshëm të menjëhershëm”, ka njoftuar Lajçak. /GazetaBlic/