Në zgjedhjet për Kuvend të Kosovës, që u mbajtën në 14 shkurt 2021, Albin Kurti nuk ishte kandidat për deputet, raporton Gazeta Blic.
Këtë ia pamundësonte dënimi nga gjykata me vendim të formës së prerë për vepër penale, i marrë në muajin korrik të vitit 2018. Për përdorim të armës, deputeti Albin Kurti ishte dënuar me dënimin unik me 1 vjet e 6 muaj burg.
Dënimi ishte me kusht me periudhë verifikimi 2 vjeçare. Fatin e njejtë e kishin edhe dhjetëra kandidatë të tjerë.
Kandidimin në zgjedhje ia pamundësonte pika q, neni 29 i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Kjo pikë e këtij neni thotë se kandidat nuk mund të jetë një person i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.
Pikërisht ky nen, që ka për qëllim të ndalojë popullimin e Kuvendit të Kosovës dhe të Kuvendeve Komunale me persona të shpallur fajtor për vepra penale, po ndryshon, në procesin e reformës zgjedhore që drejtohet nga Vetëvendosje.
Gazeta Blic ka arritur të sigurojë punën e deritashme që është bërë nga Komisioni parlamentar ad hoc për reformën zgjedhore.
Ndalesa e mëhershme e shprehur në pikën (q) po merr formë tjetër. Që një personi t’i ndalohet kandidimi nuk do të mjaftojë vetëm të jetë i dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit, por ai duhet të jetë i dënuar me të paktën një vjet burgim efektiv.
“29.2. Përveç ndalesave nga paragrafi 1 i nenit 29, personi emri i të cilit paraqitet në Listën e Votuesve nuk ka të drejtë kandidimi në zgjedhje, nëse: a) është dënuar në tri (3) vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, thuhet në propozimin e ri të siguruar nga Gazeta Blic.
Ndryshimi i kësaj dispozite ligjore mund të ndikojë që duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme, Kuvendi i Kosovës apo edhe Kuvendet Komunale të komunave, të mbushen me persona që janë shpallur nga gjykata fajtor për vepra penale, por që nuk kanë vuajtur burg efektiv.
Kjo mund të ndikojë në prodhimin e situatave të ngjashme si ajo me rastin e deputetit Ethem Arifi, vota e të cilit ishte përcaktuese për formimin e Qeversë së drejtuar nga Avdullah Hoti.
Kjo votë ishte konstestuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës me arsyetimin se deputeti Arifi ishte i dënuar dhe rrjedhimisht vota e tij për Qeverinë Hoti ishte e paligjshme dhe qeveria kishte rënë duke e dërguar vendin në zgjedhje të menjëhershme.
Deputeti i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim ishte dënuar në 20 gusht 2019 nga Gjykata e Apelit me 1 vit e 3 muaj burgim pasi ishte gjetur fajtor me subvencione. Ai ishte zgjedhur deputet në zgjedhjet për Kuvend që ishin mbajtur 2 muaj më vonë në 6 tetor 2019.
Lëvizja Vetëvendosje e kishte fituar rastin në Gjykatën Kushtetuese. Aktgjykimi ishte shpallur në 6 janar të vitit 2021. Kjo gjykatë e kishtë vendosur theksin pikërisht në nenin 29.1 (q) të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme që ndalon kandidimin dhe të bëhen deputetë personat e dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në 3 vitet e fundit.
Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se Qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të deputetëve dhe kishte kërkuar nga Presidentja e Kosovës që të shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Edhe pse kjo çështje ishte parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje, ky përfundim nuk do t’i konvenonte këtij subjekti politik, sepse vetëm dy vite më herët në shtator 2019, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar dënimin me burgim me kusht për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, Albulena Haxhiun, Donika Kadaj – Bujupin dhe Faton Topallin.
Ky vendim i formës së prerë nga gjykata ia pamundësonte Kurtit dhe të tjerëve kandidimin për deputetë deri në kalimin e periudhës tre-vjeqare, pra deri në shtator 2021.
Pikërisht për shkak të këtij neni edhe dhjetëra kandidatë të partive tjera kishin mbetur jashtë listave të partive politike.