Ligji i ardhshëm i zgjedhjeve që së shpejti pritet të kalojë në Kuvendin e Kosovës për miratim, mund të mbesë i pazbatueshëm. Kjo mund të ndodhë për një arsye të vetme – Qeveria e Kosovës nuk ka paraparë mjete financiare shtesë të nevojshme për zbatimin e tij, shkruan Gazeta Blic.
Me ligjin e ri që është draftuar nga komisioni ad hoc për reformën zgjedhore do të ndryshohen disa nga praktikat e deritashme të procesit zgjedhor. Kjo do të thotë edhe kosto shtesë, por kjo nuk është konstatuar nga dikasteri që është nën vartësinë e kryeministrit, Albin Kurti.
Gjatë muajit prill, Gazeta Blic ka raportuar në një seri shkrimesh lidhur me detaje të shumta nga procesi i reformës zgjedhore.
Sipas draftligjit të publikuar në Blic do të ndryshojë mënyra e numërimit të fletëvimeve.
Ky proces që deri më tani kryhej në vendvotime do të ndryshojë.
Në vendvotime do të numërohen vetëm votat për subjektet politike, kurse ato për kandidatët do të numërohen në Qendra Komunale të Numërimit (QKN), të cilat do të formohen në çdo komunë. Këto QKN do të vendosen në palestra sportive apo të ngjashme dhe do të kenë grupe të shumta numërimi. Kjo do të krijojë kosto shtesë për procesin zgjedhor, por që nuk është paraparë në opinionin e dikasterit qeveritar.
Edhe votimi jashtë vendit pritet të ketë kosto shtesë, por pavarësisht që kjo është konstatuar nga vetë ministria, kjo është lënë të mbulohet nga KQZ-ja në kuadër të buxhetit të vlerësuar për vitet e ardhshme.
Më 10 maj të këtij viti, Qeveria e drejtuar nga Kurti ka marrë vendim i cili i është përcjellur Kuvendit të Kosovës. Në këtë vendim që mban nënshkrimin e kryeministrit Albin Kurti, Kuvendi i Kosovës njoftohet për opinionin ligjor të Zyrës Ligjore të Kryeministrit dhe për opinionin nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Opinioni i kësaj të fundit, Ministrisë së Financave, tregon se “projektligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, nuk krijon kosto shtesë buxhetore duke nënkuptuar se të gjitha aktivitetet të cilat dalin nga ky projektligj do të mbulohen nga ndarjet të parapara buxhetore me Ligjin Nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2023 dhe vlerësimeve për vitet 2024 – 2025 për KQZ-në dhe PZAP-në si dy institucione bartëse për zbatimin e këtij projektligji.”

Ministria e Financave ka vërejtur se kosto shtesë mund të ketë vetëm zbatimi i Nenit 96 të Ligjit kur bëhet fjalë për votimin jashtë vendit në objektet e përfaqësimit diplomatic të Kosovës, por sipas kësaj ministrie, kjo kosto do të mund të mbulohet “brenda ndarjeve të rregullta buxhetore të parapara për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.”
Sipas të dhënave të ofruara nga vetë ministria në opinionin e saj, buxheti i vlerëuar për KQZ-në për dy vitet e ardhshme 2024 dhe 2025, kur do të mund të fillonte edhe zbatimi i këtij ligji, është bërë disa muaj para se të hartohej drafti i këtij ligji.

Në ligjin e ri, për të cilin ka raportuar Gazeta Blic, vërehen disa ndryshime thelbësore në procesin zgjedhor të Kosovës.
Votimi jashtë vendit nuk do të jetë më vetëm një proces që do të realizohet përmes postës, por votimi do të zhvillohet edhe në ambasada dhe konsullata të Kosovës, por nga kjo nuk do të përfitojnë të gjithë të interesuarit për të votuar nga jashtë Kosovës. Me ligj, KQZ-së i është lënë të përcaktojë kriteret dhe kushtet që duhet të përmbushin objektet e përfaqësive diplomatike për të shërbyer si hapësira votimi dhe të përcaktojë numrin maksimal të votuesve që mund të votojnë në secilën përfaqësi diplomatike.
Sipas draftligjit, për të cilin ka raportuar Blici, do të ndryshohet edhe vendimi se ku do të bëhet numërimi i votave për deputetë dhe për asambleistë. Votat për subjektet politike do të vazhdojnë të numërohen nëpër vendvotime, ashtu siç numërohen edhe aktualisht, kurse ato për deputetë dhe asamblesitë do të numërohen në palestra sportive nëpër komuna, apo hapësira të ngjashme.
Me ligjin e ri nuk do të ndryshohen vetëm aspeket teknike të procesit zgedhor, por edhe çështjet që kanë të bëjnë me të drejtën për t’u kandiduar në një proces zgjedhor. Me ligjin e ri do të ndryshohet ndalesa ligjore sipas të cilës kandidat nuk mund të jetë një person i dënuar me vendim përfundimtar në tri vitet e fundit nga gjykata për vepër penale. Ndryshimet e bëra, kandidimi do t’iu ndalohet vetëm personave që dënohen me burgim efektiv nga një ose më shumë vjet.
Gjithashtu, reforma zgjedhore pritet ta ndryshojë edhe numrin e kandidatëve për deputëtë që mund t’i votojë një votues.


