Sporti

Reforma të mëdha tek Italia, Gabriele Gravina do të largohet nga posti i preisdentit

04/02/2026 14:28
nga:Mergim Rreci

Futbolli italian po përballet me një nga momentet më të errëta në historinë e tij, pasi eliminimi nga kualifikimet e Botërorit 2026 ka shkaktuar reagime të forta dhe kërkesa për ndryshime drastike në drejtimin e federatës.

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, pritet të jetë në qendër të një mbledhjeje vendimtare të Këshillit Federal, ku mund të diskutohet edhe dorëheqja e tij. Kjo vjen pas presionit të madh publik dhe politik, pas dështimit të tretë radhazi të Italisë për t’u kualifikuar në një Kupë Bote, transmeton GazetaBlic Sport.

Humbja dramatike ndaj Bosnje-Hercegovinës në “play-off”, e vendosur nga penalltitë, ka thelluar krizën dhe ka nxitur reagime të ashpra nga tifozët, mediat dhe autoritetet sportive. Ministri i Sportit në Itali ka kërkuar hapur ndryshime në krye të federatës, duke theksuar se “duhet një rindërtim i plotë i futbollit italian”.

Edhe pse Gravina fillimisht nuk ka dhënë dorëheqje, ai ka pranuar se situata kërkon reflektim dhe vendime të rëndësishme, të cilat do të merren në mbledhjen e ardhshme. Ndërkohë, raportimet sugjerojnë se zgjedhje të reja për presidentin e federatës mund të shpallen së shpejti.

Kriza nuk ndalet vetëm te drejtuesit. Edhe stafi teknik, përfshirë trajnerin Gennaro Gattuso, është nën presion të madh, ndërsa po qarkullojnë emra të rinj për të marrë drejtimin e kombëtares në një fazë të mundshme rindërtimi.

Italia, katër herë kampione bote, nuk ka marrë pjesë në një Botëror që nga viti 2014, duke e bërë këtë një periudhë të paprecedentë krize për “Azzurrët”.

/GazetaBlic Sport/