Qeveria e Kosovës ka deklaruar se nuk do ta diskutojë në takimin e 18 gushtit në Bruksel çështjen e reciprocitetit.
Por, analisti politik Arton Demhasaj mendon se kjo do të jetë tema kryesore e këtij takimi në mes të Kurtit dhe Vuçiqit.
Në një prononcim për Gazeta Blic, ai ka thënë se qeveria nuk duhet të lejojë që të diskutohet, pasi është e drejtë legjitime e Kosovës.
“Mendoj që tendenca do të jetë që të diskutohet tema e reciprocitetit për shkak se e pamë se çka mund të ngjall ajo temë por prapë Qeveria nuk duhet të lejojë që pjesë e diskutimit me Serbinë, pasi është e drejtë ligjore kushtetuese që Kosova t’i përgjigjet Serbisë, ashtu si sillet Serbia ndaj Kosovës”, thotë ai.
“Mendoj që kjo do të jetë tema kryesore e diskutimit, për shkak se tashmë pritet që me 1 shtator të fillojë zbatimi dhe mund të ngjallë reagime të serbëve në veri, kështu që mendoj se këto do të jetë qendra kryesore e diskutimit”, shton Demhasaj.

Sipas tij, me Serbinë duhet të diskutohet që të hiqen ndalesat për qytetarët e Kosovës, si për targa, si për dokumente dhe ashtu do të veprojë dhe Kosova.
“E vetmja mënyrë ku kjo temë mund të bëhet diskutim në dialog dhe ndërkohë nëse Serbia pranon që t’i heqë të gjitha ndalesat ndaj qytetarëve të Kosovës, qoftë për targat, qoftë për dokumentet e udhëtimit, atëherë njësoj dhe ne, i heqim edhe stikersat edhe mjetet e udhëtimit”, thekson Demhasaj për Gazeta Blic.
Ndërsa, lidhur me targat, ai thotë se ato duhet t’i vendosin të gjithë qytetarët serbë të Kosovës, pasi kështu thotë Kushtetuta.
“Sa i përket tabelave që qytetarët serbë që jetojë në Kosovë që duhet të pajisen me tabelat e Kosovës, kjo nuk duhet të pranohet e as të diskutohet, për shkak se të gjithë shtetasit e Kosovës, edhe sipas ligjeve edhe sipas Kushtetutës duhet të trajtohen të barabartë, andaj edhe ata duhet të pajisen me tabelat që i ka Kosova”, potencon analisti Arton Demhasaj./Gazeta Blic/


