Sporti

Realizoi një super gol në fitoren ndaj Llapit, Blerind Morina është ‘Ylli i Javës’

03/19/2026 10:44
nga:Mergim Rreci

Federata e Futbollit e Kosovës ka vazhduar traditën e ndarjes së çmimit “Ylli i Javës” në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, duke shpërblyer futbollistin më të spikatur të xhiros.

Për javën e 25-të të Superligës së Kosovës, ky çmim i është ndarë futbollistit të SC Gjilanit, Blerind Morina. Ai u vlerësua pas paraqitjes së tij në ndeshjen ndaj FC Llapit, ku realizoi një gol dhe kontribuoi në fitoren 2:3 të skuadrës së tij, transmeton GazetaBlic Sport.

Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili përzgjedh lojtarin më të dalluar të javës bazuar në performancën në fushë.

Pas marrjes së çmimit, Morina u shpreh i kënaqur për vlerësimin, duke theksuar rëndësinë e fitores dhe punën e ekipit gjatë javës. Ai nënvizoi se objektivi i SC Gjilanit mbetet sigurimi i një vendi në garat evropiane, por nuk përjashtoi edhe ambicie më të mëdha, duke parë renditjen aktuale në tabelë.

Në fund, ai falënderoi stafin dhe bashkëlojtarët, duke ia dedikuar çmimin klubit të tij, SC Gjilanit.

/GazetaBlic Sport/