Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e nëntëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë për herë të dytë futbollistit të FC Ballkanit, Almir Kryeziu, i cili pati një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij gjatë 88 minutave sa luajti, duke shënuar një gol dhe duke asistuar në golin e dytë, duke siguruar fitoren për skuadrën e tij kundër Gjilanit me rezultat 1:2 , njofton FFK, përcjell GazetaBlic Sport.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pasi mori këtë çmim, Kryeziu u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës: “Kemi pasur një fazë përgatitore shumë të mirë dhe kemi pasur kohë të mjaftueshme për ta analizuar Gjilanin. Ekipi ka qenë shumë i mirë edhe në sezonin e kaluar, megjithatë këto transfere kanë rritur konkurrencën, por edhe kualitetin në ekip. Synimi i FC Ballkanit tashmë dihet se është dalja kampion dhe jemi në rrugën e mirë për ta arritur këtë qëllim, por jemi edhe në garë për Kupën e Kosovës, andaj do të luftojmë në të dyja garat.
Falënderoj Federatën e Futbollit të Kosovës për vlerësimin si më i miri i xhiros, bashkëlojtarët dhe stafin e trajnerëve, sepse pa ta do të ishte e pamundur kjo performancë e imja.” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.


