Liga e Kampionëve tashmë është në fazën finale të saj.
Janë katër skuadra gjysmëfinaliste të cilat synojnë që ta fitojnë trofeun e madh në këtë edicion, shkruan GazetaBlic.
Chelsea – Real Madrid si dhe PSG – Manchester City do të jenë çiftet e ndeshjeve gjysmëfinaliste, çifte këto që premtojnë spektakël të madh.
Arbër Loxha, gazetari dhe komentatori i këtij kompeticioni në Kujtesa Sport tha se kjo fazë pritet të jetë shumë interesante për faktin që katër skuadrat janë me kualitet të përafërt.
Komentatori Loxha ka disa vite që vazhdimisht komenton ndeshjet e këtij kompeticioni, duke qenë afër pothuajse çdo takimi të zhvilluar në veçanti në fazën finale të tyre.
“E vështirë për të parashikuar finalen e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve. Fakti që janë kualfiikuar 4 ekipe të cilat për nga kualiteti janë shumë të përafërta e bën të vështirë për t’i dhënë gjasa dikujt më shumë apo më pak. Por besoj që faktori kyç këtë vit janë lëndimet. Cilado nga 4 skuadrat gjysmëfinaliste që arrinë ta mbajë ekipin me sa më pak dëmtime të futbollistëve, besoj se i ka gjasat më të mëdha për finale. Ky sezon mund të jetë i francezëve. Përkundër që PSG do ndeshet me Manchester City-in, i shoh si favoritët për të shkuar deri në fund përseëri. PSG duket se do luaj me kapacitetin e plotë kundër City-it. Ekipi i Guardioles deri në gjysmëfinale nuk pati asnjë ndeshje të vështirë dhe kjo di të jetë një disavantazh kur takohet me një skuader që ka vuajtur shumë deri sa erdhi në final four. Mos harroni, PSG e ka eleminuar Barcelonën dhe Bayernin ndërsa City, Gladbachun dhe Dortmundin” tha fillimisht Loxha.
Më pas ai analizoi edhe ndeshjen tjetër më mes Real Madrid dhe Chelsea, ku tha se e sheh pak më favorite skuadrën madrilene në këtë takim.
“Ndërsa te dueli Real – Chelsea, nëse Madrielenët do të rikuperojnë disa futbollistë që nuk ishin në mundësi të luanin në çerekfinale, i shoh me favoritë se Londinezët. Këtë e bazoj në përvojën e Zidane dhe të lojtareve që janë ne fondin e Los Blancos. Zizou dhe 80% e tyre vetëm se e kanë fituar Championsin 3 herë dhe nuk është dicka e re qasja në një gjysmëfinale për ta.
Në anën tjetër Chelsea, një skuadër që ka një trajner finalist të Uefa Champions League, por lojtarët apo shumica e tyre janë të rinjë dhe pa shumë përvojë evropiane, duke mos e harruar Kanten, Azpin, Alonson, Rudigerin dhe Giroudin, qe vetëm e kanë fituar Europa Leaguen por në Champions është më ndryshe” deklaroi Loxha për GazetaBlic Sport.

Analisti dhe trajneri kosovar, Erdin Hashani poashtu tha se kjo fazë është shumë interesante, kurse i dha përparësi Realit ndaj Chelseas edhe pse tha se pritet një takim shumë i rivalizuar mes dy skuadrave.
“Unë mendoj se ndeshja e parë midis Chelsea dhe Real Madrid është një përballje midis të dy skuadrave më në formë dhe gjithashtu një Chelsea shumë më ndryshe me ardhjen e trajnerit Tuchel, një lojë shumë kompakte dhe ofanzive. Megjithatë, ata kanë përballë Real Madridin që e ka në ADN Ligën e Kampionëve. Edhe nëse nuk paraqiten mirë në kampionat, ata janë një ekip tjetër në Ligën e Kampionëve. Dhe të mos harrojmë se janë këtu me shumë mungesa. Është e vështirë të parashikohet, sepse kemi të bëjmë me një ndeshje mes Realit që ka përvojë dhe Chelsea që ka energji. Por këtu i jap përparësi Realit, mendoj se ata do të shkojnë në finale” tha fillimisht Hashani për GazetaBlic Sport.
Më pas ai analizoi edhe ndeshjen tjetër në mes PSG dhe Manchester Cityt. Ai tha se pret një ndeshje shumë interesante dhe shumë të vështirë për t’u parashikuar, megjithatë i dha një përparësi të vogël Parisit.
“Ndërsa sa i përket ndeshjes tjetër mes Parisit dhe Cityt mëndoj që është koha që Guardiola të tregoj veten ne Champions, sepse janë shumë vite që nuk e ka fituar atë. Para vetës ka përballë një skuadër që e ka vijën e sulmit më të mirë dhe City nuk është që janë shumë mirë në mbrojtje. Përballen dy klube që kanë shpenzuar shumë këto vitet e fundit. Por, që edhe këtë ndeshje më shumë i jap përparësi Parisit duke e ditur se çfarë sulmi kanë ata. Edhe pse këto ndeshje janë të vështira me u parashiku për shkak se në kësi ndeshje nuk ka shumë kalkulime, por ka shume taktizime qe do të vendosin detajet. Për nga cilësitë mendoj që janë të njëjta” vazhdoi Hashani.

Njohësi i mirënjohur i futbollit, Muhamet Dragusha tha se skuadrat e kualifikuara në gjysmëfinale janë aty me plotë meritë.
“Do të jenë super ndeshje, kemi ekipe shume të mëdha edhe mendoj me meritë të kualifikiuara në gjysmëfinale. Chelsea një super ekip që pas ardhjes së trainerit të ri ka shume ndryshime në lojë taktike dhe falë formës dhe këtyre elementeve ata gëzojnë gjysmëfinalen, kurse Real Madrid me shumë oscilime në formë e kjo krejt shkak i lëndimeve të mëdha në ekip, lojtarët që mbajnë barrën kryesore në ekip janë të lënduar, atëherë mund të themi se aty ka kontigjent të madh të lojtarëve dhe falë kësaj ata më shumë ndryshime, por në fund arritën gjysmëfinalen duke mposhtur deri me tash klube të mëdha”.
Ai më pas komentoi ndeshjen mes Parisit dhe Manchester Cityt, ku tha se të dy skuadrat kanë pikat e tyre të forta dhe se pritet ndeshje shumë interesante mes tyre.
“Parisi me një super ekip dhe me deshirë si kurrë më parë arriti në gjysmëfinale, duke qenë superior ndaj kundërshtareve. Ata kanë lojtarët më të medhenjë si dh më të shtrenjt si Neymar e Mbappe dhe domsdoshmërishtse ky potencial në fushë rezulton me sukses. Manchester City me futboll të shpejtë dhe pasime të sakta e shkurtëra me meritë arriti deri këtu dhe janë pretendent për ta fituar komplet trofeun. Kjo skuadër krijon raste dhe ka formë të jashtëzakonshme, atë e kanë treguar atë edhe në Premier League dhe kjo formë po vazhdon edhe në garën më të madhe të ekipeve, Ligën e Kampionëve”.
Krejt në fund, Dragusha tha se e sheh Real Madridin si favorit kryesor për ta fituar edhe këtë edicion të Ligës së Kampionëve.
“Unë mendoj se favoriti më i madh është Real Madrid, duke parë edhe përvojën më të madhe në këtë garë, kësaj ia shtojmë edhe rikthimin e super lojtarëve e kjo na jep të drejt për të menduar dhe favorizuar këtë ekip në UCL, super mesfushë kreative dhe me super formë, sulm efikas, mbrojtja me rikthimi të lojtarëve stabilizohet dhe do të shohim edhe më shumë nga ky klub mbretëror” përfudoi ai.

/GazetaBlic/


