Sporti

Real Madrid bën planet për verë, largohet Benzema, vjen Haaland

01/16/2022 19:20
nga:E K

Sulmuesi Karim Benzema mund të largohet nga Real Madrid, në rast që sulmuesi i Borussia Dortmundit, Erling Haaland vendos t’i bashkohet klubit spanjoll.

Francezi ka kontribuar me 17 gola dhe shtatë asistime në 20 paraqitje në La Liga këtë sezon, me Real Madridin që shihet si favorit për La Liga-n.

Sidoqoftë, “El Nacional” raporton se 34-vjeçari mund të largohet pas 13 viteve te Reali dhe mund të rikthehet te ish skuadra, Lyon.

Raporti shton se Benzema nuk do ishte i lumtur me ardhjen e Haaland, prandaj do preferojë largimin para se të qëndrojë në stol.

Kontrata e Benzemas skadon në vitin 2023, me presidentin Florentino Perez që i ka ofruar mundësinë e rinovimit, por lojtari e ka refuzuar.

Ndërkohë, edhe PSG mund të interesohet për francezin në rast që Zinedine Zidane merr drejtimin e “Parisienëve”.