Lajme

Reagon Kusari-Lila pas deklaratës së FMN-së kundër Trustit: Nuk rrënohet shteti pse ke humbur pushtetin, kjo logjikë tregon paaftësinë e opozitës për të menduar

05/27/2022 11:44
nga:Genita C

Shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka komentuar qëndrimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në lidhje me Trustin, që po kundërshtohet nga ta, raporton GazetaBlic.

Kusari-Lila akuzoi opozitën se është rreshtuar pas ideve populiste që çojnë në shkatërrim financiar të shtetit.

“Udhëheqësit opozitarë bashkë me ekonomistët që i mbështesin ata, akuzojnë pozitën për vendime populiste, përderisa vetë nuk bën asgjë më shumë se të rreshtohen pas ideve/propozimeve populiste dhe destruktive për ekonominë e vendit deri në shkatërrim financiar të shtetit.
Stimulohet rrënimi i stabilitetit financiar, nxitja e trazirave sociale dhe rrezikimi i funksionimit të Agjencive Rregullative vetëm pse ata e humbën pushtetin”, shkruan ajo.

Kusari-Lila thotë se kundërshtimi i fundit për Trustin nga FMN tregon se sa serioze është situata në vend.

“Reagimi i Fondit Monetar Ndërkombtar lidhur me propozimin e PDK-së, mbështetur nga LDK, AAK dhe Lista Serbe për tërheqjen e 30% të Trustit si dhe procesin gjyqësor për anulimit të tarifave të energjisë, sipas këtij institucioni të rëndësishëm financiar, tregon seriozitetin e situatës, përfshirë rrezikimin e sistemit financiar dhe rregullativ në Kosovë, si dhe është dëshmi sa popullist dhe destruktiv është propozimi i partive të opozitës.

Nuk rrënohet shteti pse ke humbur pushtetin. Kjo logjikë tregon shumë qartë paaftësinë për të menduar propozime që ndihmojnë qytetarin dhe nuk rrënojnë shtetin. Kjo nuk është ekonomi, është mendësi sot për nesër”, përfundon Kusari.