Lajme

Reagon KEK: Pretendimet për “rritje artificiale të çmimit” nuk janë të bazuara

11/27/2025 23:07
nga:Genita C

Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar ndaj diskutimeve të zhvilluara në emisionin “Rubikon” dhe fakteve të paraqitura nga anëtarja e LDK-së Janina Ymeri, duke i cilësuar ato si narrativa të pabazuara.

REAGIM I KEK-ut:

Korporata Energjetike e Kosovës, denon ashpër shfrytëzimin e institucionit për qëllime politike, cilado qoftë ajo parti apo agjendë.
KEK është institucion publik dhe strategjik, i cili nuk guxon dhe nuk duhet të përdoret për narrativa të ndërtuara mbi interesa të ulëta personale apo politike.
Sonte, në emisionin “Rubikon”, po tentohet të krijohet një narrativë e padrejtë, e njëanshme dhe e pabazuar kundër KEK-ut – një përpjekje që jo vetëm dezinformon publikun, por edhe cenon integritetin e punëtorëve dhe profesionalizmin e sektorit energjetik në tërësi.
Duke parë përmbajtjen, është e domosdoshme të theksohet se debati publik mbi energjinë duhet të zhvillohet mbi baza profesionale, të verifikueshme dhe të çliruara nga sensacionalizmi medial apo ndikimet politike. Sektori energjetik është tepër kompleks për t’u reduktuar në narrativa që krijojnë tension, përhapin dyshime të pabazuara dhe vënë në shënjestër padrejtësisht institucionet publike, përfshirë KEK-un.
1. KEK nuk vendos për importet e energjisë
Importi i energjisë elektrike kryhet nga operatorët e tregut sipas rregullave rajonale dhe evropiane.
KEK prodhon energji vetëm në bazë të kapaciteteve teknike dhe rregulloreve të ZRRE-së.
2. Pretendimi se “qëllimshëm nuk prodhohet rrymë për të krijuar nevojë për import” është jo-profesional dhe bie ndesh me realitetin teknik dhe operativ të termocentraleve.
Së pari, asnjëherë nuk është ofruar asnjë dëshmi konkrete për këto pretendime, sepse thjesht nuk ekziston asnjë mekanizëm apo mundësi reale që të ndodhë një gjë e tillë brenda proceseve të rregulluara të prodhimit të energjisë.
Prodhimi i energjisë ndikohet nga gjendja e njësive gjeneruese, proceset e planifikuara të mirëmbajtjes, kufizimet e natyrshme të termocentraleve të vjetra dhe kërkesat e rrepta të sigurisë operacionale.
Ndalja dhe rifillimi i një njësie termike nuk është një proces që bëhet “me tastierë” ose sipas dëshirës.
Çdo ndalesë apo startim përfshin procedura të detajuara teknike, analiza të rrezikut, përgatitje të ekipit operativ, kontrolle mekanike, termike dhe elektrike, si dhe kohë të konsiderueshme për stabilizim.
Këto procedura janë të standardizuara ndërkombëtarisht dhe nuk mund të manipulohen, sepse çdo devijim do të rrezikonte sigurinë teknike, jetën e punonjësve dhe stabilitetin energjetik të vendit.
Prandaj, insinuatat se prodhimi “ndalet me qëllim” nuk bazohen në fakte, nuk mbështeten në realitetin teknik dhe nuk qëndrojnë as teorikisht, as praktikisht në një infrastrukturë kaq të ndjeshme dhe të rregulluar siç janë termocentralet.
3. Pretendimet për “rritje artificiale të çmimit” nuk janë të bazuara
Çmimet e energjisë në Kosovë përcaktohen nga ZRRE, përmes metodologjive të rregulluara dhe të mbikëqyrura.
Asnjë entitet dhe asnjë kompani e vetme – e aq më pak KEK-u – nuk mund të manipulojë çmimet e importit apo lëvizjet e tregut.
4. KEK është institucion strategjik nën mbikëqyrje të shumëfishtë
KEK i nënshtrohet:
• Auditimeve të brendshme dhe të jashtme
• Kontrollit parlamentar
• Raportimit të rregullt ndaj Qeverisë si aksionar
• Standardave të sigurisë teknike dhe operacionale
Këto mekanizma pamundësojnë manipulimet e pretenduara dhe garantojnë transparencë të plotë.
5. KEK është në fazën më të madhe të zhvillimit në 40–60 vitet e fundit
Është i pamohueshëm fakti që KEK sot po realizon projektet më të mëdha të modernizimit në dekada:
• Rehabilitimi i njësisë A3 në TCA dhe i njësive B1 e B2 në TCB, në vlerë mbi 300 milionë euro, projekte që rrisin ndjeshëm sigurinë e operimit dhe zgjasin jetën e njësive për të paktën 20 vitet e ardhshme.
• Konfirmimi nga BE për fillimin e projektit të elektrofiltrave në vlerë rreth 100 milionë euro, i cili përmirëson dukshëm performancën mjedisore.
• Përkushtimi ndaj tranzicionit të energjisë së gjelbër, ku KEK së shpejti fillon procedurat e tenderimit për Parkun Solar 100 MW, një hap strategjik drejt modernizimit të sektorit energjetik në vlerë mbi 100 milionë euro.
Sa i përket procesit të rehabilitimit të njësisë A3, e cila parashihet edhe në strategjinë kombëtare për energji 2022-2031 dhe përfaqëson mbi 15% të kapacitetit të përgjithshëm prodhues në vend, duhet theksuar se ky është një proces i rregulluar, i hapur dhe plotësisht transparent.
Procedura është zhvilluar përmes një tenderi konkurrues me negociata, të hapur për të gjitha kompanitë e interesuara, sipas standardeve të prokurimit publik dhe rregullave ndërkombëtare të konkurrencës.
Madje, për herë të parë në Kosovë, hapja e aplikimeve është transmetuar drejtpërdrejt, duke vendosur një standard të ri në transparencë dhe integritet institucional.
Kjo nismë ka bërë që i gjithë procesi të jetë i hapur për publikun, mediat dhe palët e interesit – duke e pamundësuar çdo dyshim të arsyeshëm për mbyllje, favorizim apo manipulim.
Prandaj, çdo tentim për të manipuluar opinionin publik duke vënë në dyshim këtë proces është plotësisht i pabazuar, sepse nënvlerëson jo vetëm transparencën e garantuar institucionalisht, por edhe punën profesionale të të gjithë ekipeve që drejtojnë këtë projekt madhor për vendin.
KEK sot është në një fazë zhvillimi që nuk është parë për 40–60 vite, dhe çdo përpjekje për të mohuar, shtrembëruar apo minimizuar këto fakte për agjenda personale ose partiake është fyerje ndaj punonjësve të KEK-ut dhe gjithë korporatës energjetike të Kosovës.
Përkundër këtyre investimeve madhore, KEK vazhdon të ofrojë energjinë elektrike dhe termike me çmimin më të ulët në rajon e më gjerë – vetëm 29.5 euro për 1 MWh.
Kjo është dëshmi e qartë e përkushtimit të KEK-ut që, pavarësisht kostove të mëdha të modernizimit dhe rehabilitimit, të mbrojë dhe të mbështesë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke garantuar energji të qëndrueshme, të sigurt dhe të përballueshme për të gjithë.
Përfundim
KEK mbetet shtylla kryesore e sigurisë energjetike të Kosovës.
Sulmet e padrejta, narrative të pabazuara dhe tentimet për ta politizuar këtë sektor strategjik dëmtojnë qytetarët, institucionet dhe të ardhmen energjetike të vendit.
Transparenca, faktet dhe profesionalizmi janë rruga e vetme për të zhvilluar një debat serioz dhe të ndershëm — jo insinuatat dhe spekulimet që shërbejnë interesave të ngushta.