Lajme

Reagon Jusuf Azemi: Një kryministër të ketë një pagë mbi 2 mijë euro dhe të kemi një pagë minimale 130 euro kjo- s’do koment

02/16/2022 12:42
nga:Q R

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se askush më në Kosovë nuk punon me pagë nën 350 euro.

Azemi në një prononcim për ‘Gazeta Blic’, duke folur për ‘Ligjin e Pagave’ ka thënë se Qeveria Kurti nuk po shqetësohet për punëtorët e sektorit privat, derisa rritë koeficientin për udhëheqësit.

Kryesindikalisti i sektorit privat thotë se, një kryministër të ketë një pagë mbi 2 mijë euro dhe të kemi një pagë minimale 130 euro, kjo s’don koment.

“Qeveria e Kosovës nuk shqetësohet fare për punëtorët e sektorit privat,  përderisa e rrit koeficientin prej 1 deri në 20 për udhëheqës, derisa për punëtorët privat kemi një pagë shumë të ulet, kjo nuk do koment. Komentin po e marrim çdo ditë ku po shohim se të gjithë punëtorët po largohen. Pra një kryminister të ketë një pagë mbi 2 mijë euro dhe të kemi një pagë minimale 130 euro kjo s’don koment. Askush më në Kosovë nuk punon me pagë nën 350 euro”, thotë Azemi.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nëse vazhdon me këtë trend do të mbetët pa punëtor, pasi që sipas tij, fuqia punëtore po largohet çdo ditë e më shumë.

“Do të vij një kohë kur edhe nëse jepet paga 1000 euro s’do të ketë punëtor të ri sepse të gjithë po ikin”, deklaron ai.

Me draft ligjin e ri të pagave nëse miratohet në Kuvendin e Kosovës, si i tillë atëherë kryeministrit Kurti do t’i rritet paga për 780 euro.

Gazeta Blic ka publikuar ekskluzivisht një kopje të këtij projektligji, i cili së shpejti pritet të miratohet nga Qeveria e Kosovës, që drejtohet nga Kurti.

 

Ekskluzive: “Ligji për pagat”, Kryeministrit Albin Kurti do t`i rritet rroga për hiç më pak se 780 euro (dokument)