Sporti

Reagon FC Ferizaj: Haxhimusa nuk e ka fyer askënd në baza racore, akuza e Prishtinës së Re e pavërtetë dhe e pabazuar!

02/15/2026 18:21
nga:Lorik J

Skuadra e Ferizajit ka reaguar, duke hedhur poshtë aludimet e Prishtinës së Re në lidhje me fyerjet racore të kapiteni, Betim Haxhimusa në drejtim të dy lojtarëve të ekipit nga Hajvalia.

Sipas Ferizajt, Haxhimusa nuk ka fyer Doukouren dhe Gomes, ashtu siç pretendon Prishtina e Re, teksa thotë se pretendimet e Prishtinës së Re janë të pavërteta dhe të pabazuara, shkruan GazetaBlic Sport.

Ja njoftimi i klubit:

“FC Ferizaj reagon ndaj deklaratës së publikuar nga KF Prishtina e Re lidhur me pretendimet për fyerje me bazë racore gjatë ndeshjes së sotme.
Hedhim poshtë kategorikisht këto akuza, të cilat janë të pavërteta dhe të pabazuara. Kapiteni ynë, Betim Haxhimusa, është sportist me integritet të lartë dhe një gjë e tillë nuk përfaqëson karakterin e tij.
FC Ferizaj është klub që ndërtohet mbi respektin dhe barazinë. Në skuadrën tonë bëjnë pjesë lojtarë nga prejardhje të ndryshme, përfshirë edhe lojtarë me ngjyrë, të cilët janë pjesë e pandashme e familjes sonë sportive. Kjo dëshmon qartë frymën dhe vlerat që përfaqësojmë.
E konsiderojmë të turpshme dhe të nxituar komunikatën e KF Prishtina e Re, e cila është publikuar pa asnjë bazë faktike. Theksojmë se gjatë momentit të pretenduar, shumë pranë situatës ka qenë edhe referi Nuza, gjë që e bën edhe më të pabazuar këtë akuzë.
FC Ferizaj mbetet i përkushtuar ndaj fair-play, respektit dhe dinjitetit, dhe nuk do të lejojë që emri i klubit dhe i kapitenit tonë të njolloset me pretendime të pavërteta”, shkruhet në deklaratën e klubit.

/GazetaBlic Sport