Lajme

Reagon Erden Atiq: Sulmi i mbrëmshëm ndaj komunës sonë ishte terrorist – aktet e tilla kriminale nuk na frikësojnë

06/27/2023 11:19
nga:G B

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka reaguar për sulmin e mbrëmshëm ndaj komunës që ai udhëheq, derisa ka thënë se është sulm i organizuar terrorist, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se akte të tilla kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do t’ia dalin dhe se institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve të tilla.

Postimi i tij i plotë:

Sulmi i mbrëmshëm me granatë dore M75 në objektin e komunës sonë është padyshim sulm i organizuar terrorist.

Këto akte kriminale e terroriste që tentojnë të ngjallin frikë nuk do të ia dalin. Institucionet do të funksionojnë pavarësisht sulmeve e kërcënimeve të tilla.

Në anën tjetër, unë i bëj thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që ta trajtojnë me urgjencë rastin dhe kryesit e këtij sulmi të vihen sa më parë para drejtësisë.