Lajme

Reagon drejtoresha që i’u vendos mbishkrimi “viagra” në derën e zyrës

10/08/2022 16:21
nga:Y I

Drejtoreshës për Kulturë në komunën e Suharekës, Lorika Gashi, i është dëmtuar dera e zyrës së saj nga aktori Brahim Basha.

Lidhur me aksionin e aktorit që ngjiti disa fotografi me mbishkrime “viagra”, “shko shit ku e ke vendin drejtoreshë dallaverexhike”, “turp”, ka reaguar vetë drejtoresha Gashi.

Ajo përmes një postimi në rrjete sociale, ka theksuar se asnjë sulm i ulët nuk do të mund t’i ndalë reformat.

Drejtoresha e Kulturës, Lorika Gashi ka thënë se dje është sulmuar paturpësisht nga një artist, që sipas saj ai ka menduar që mund ta lëndojë duke e fyer e sulmuar, por e ka shumë gabim.

Po ashtu, drejtoresha Gashi ka shtuar se sulmet e tilla të ulëta e me tendenca linçuese nuk kalojnë, prandaj me to po merren organet e rendit dhe drejtësisë.

Reagimi i plotë:

Asnjë sulm i ulët nuk do të mund t’i ndalë reformat!

Të nderuar qytetarë të Therandës,

Dje jam sulmuar paturpësisht nga një “artist” i cili ka menduar se mund të më lëndoj duke më fyer e sulmuar, por e ka shumë gabim.
Sulmet e tilla të ulëta e me tendenca linçuese nuk kalojnë. Prandaj me to po merren organet e rendit dhe drejtësisë.

Punët dhe rolet janë të ndara sikur në një shfaqje teatrale. Dihet kush është regjisori, producenti dhe kush duhet të luaj rol (por jo të luaj si të dojë për interesa personale sikur “artisti” në fjalë).

Është e vërtetë dhe me mburrje e them se jam farmaciste, por nuk jam kufizuar asnjëherë në ambiciet e mia për të kontribuar për shoqërinë dhe vendin tim.
Puna e madhe dhe aktivitetet e shumëta si pasojë e reformave të bëra duket që dikujt s’po i pëlqejnë. Suksesi dhe puna ime është duke i penguar. Me sulmuan për të më ndalur, por sulmi nuk kalon. Dje duke më sulmuar tentuan të më frikësojnë, të më ndalin, të më njollosin, por nuk do të arrijnë. Në syrin e llumave një grua sulmohet më lehtë sepse është grua, por gruja e suksesshme është kockë e fortë për llumat.

Asgjë nuk mund të më ndal që të vazhdoj të bëjë punë të mirë për qytetin dhe qytetarët.