Kandidatja për deputete nga radhët e Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e shtesave prej 100 eurosh për pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit privat dhe fëmijët, vetëm pak ditë para zgjedhjeve.
Përmes një postimi në Facebook, Deliu tha se qytetarët e Kosovës nuk duhet të trajtohen si “lypsarë” dhe se ndihmat e tilla, sipas saj, kanë karakter elektoral.
“Kryeministër, qytetarët e Kosovës nuk janë lypsarë – mos i trajto si të tillë. Kur një qeveri kujtohet për qytetarët vetëm pak ditë para zgjedhjeve, atëherë problemi nuk është te 100 eurot, por te mënyra si e sheh qytetarin”, deklaroi ajo.
Sipas Deliut, qytetarët kanë nevojë për paga dinjitoze, zhvillim ekonomik dhe perspektivë për të rinjtë, e jo “lëmoshë elektorale”.
Ajo shtoi se vota e qytetarëve nuk mund të blihet me pagesa të momentit, ndërsa bëri thirrje për ndryshim politik në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Më 7 qershor, bashkë do t’i themi STOP krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën – në një vend me zhvillim, dinjitet dhe mirëqenie për të gjithë”, përfundoi Deliu.


