Lajme

Reagon bashkëshortja e Agonis Tetajt: Fëmijët do të rriten me zhgënjim për sistemin që liroi vrasësin e babait të tyre

10/25/2024 22:43
nga:Sh R

Të enjten është liruar nga burgu, Shaban Gogaj, i cili më 9 tetor u dënua me 6 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Agonis Tetajt.

Pas lirimit të Gogajt ka reaguar, bashkëshortja e Agonis Tetajt, Albesa Cacaj, e cila është shprehur e indinjuar me sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook pyetur se a është drejtësi, kur një sistem liron vrasësin e një njeriu të pafajshëm.

“Bashkëshorti im Agonis Tetaj u vra në sytë e të gjithëve, në vendin e tij të punës nën dritën e kamerave, dhe tani vrasësi i tij ecën i lirë, ndërsa familja jonë mbetet në një dhimbje të pashlyeshme.”, ka thënë ajo.

Cajcaj ka vlerësuar se kjo nuk është drejtësi, por është dështim i thellë i sistemit që duhet të mbrojë jetën dhe të dënojë krimin.

“Kjo është drejtësia që po u lëmë fëmijëve tanë? Lisi dhe Blini, do të rriten me pyetje dhe zhgënjim për një sistem që liron vrasësin e babait të tyre, pa e marr dënimin e merituar. Jemi thellësisht të indinjuar me sistemin e drejtësisë, i cili në vend që ti shëroj plagët tona, na ka goditur dhe prekur thellësisht në shpirt!”, ka shkruar ajo.

Lirimin e Gogajt e ka konfirmuar avokati i tij, Besnik Berisha.

“Meqë kam thirrje e mesazhe te shumta për të konfirmuar nëse Shaban Gogaj është liru nga burgu, për korrektësi, ndonëse nuk e kisha ndërmend ta beja temë e as nuk mëtoj të krekosem për këtë vendim, përgjigja është PO, Shaban Gogaj është liru dje nga Burgu i Dubravës dhe lirimi i tij është bërë me vendim të Gjykatës Supreme. Ashtu siç e kam thënë ndër vite, vrasja e Agonis Tetaj ishte një fatkeqësi që goditi se paku dy familje, por u konfirmua përfundimisht se vrasja ndodhi nga pakujdesia dhe për këtë verdikt final u shpreh drejtësia. Shaban Gogaj u lirua nga burgu por jo edhe nga dhimbja shpirtërore për humbjen e shokut e kolegut, Agonis Tetaj. “, ka shkruar avokati Berisha.