Sporti

Reagon ashpër Prishtina e Re: Futbollisti i Ferizajt, Betim Haxhimusa ofendoi në baza racore futbollistët tanë Doukoure dhe Gomes!

02/15/2026 17:01
nga:Lorik J

Skuadra e Prishtinës së Re ka reaguar sot pas rastit të pahijshëm që ndodhi gjatë duelit me Ferizajn, ku futbollisti Doukoure dëshironte të lëshonte ndeshjen, pasi u ofendua në baza racore.

Sipas klubit nga Hajvalia, futbollisti kundërshtar, Betim Haxhimusa ofendoi në baza racore futbollistët Doukoure dhe Gomes, shkruan GazetaBlic Sport.

Prishtina e Re denon ashpër sjelljet e Haxhimusës, teksa thonë se do adresojnë rastin në FFK.

Ja reagimi i tyre:

“KOMUNIKATË ZYRTARE
KF Prishtina e Re dënon ashpër incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes së sotme, ku futbollistët tanë Cheick Doukoure dhe Toni Gomes u bënë subjekt i ofendimeve me përmbajtje racore nga kapiteni i FC Ferizaj, Betim Haxhimusa.
Ofendime të tilla nuk kanë pasur asnjëherë vend në traditat shqiptare, as në kulturën dhe besimin tonë fetar.
Çdo anëtar i klubit qëndron fuqishëm kundër çdo forme racizmi, diskriminimi apo gjuhe urrejtjeje në sport dhe në shoqëri.
Futbolli është lojë e respektit, barazisë dhe bashkimit, dhe çdo veprim që cenon këto vlera është i papranueshëm.
Ne do ta adresojmë rastin pranë FFK-së dhe presim që organet kompetente të shqiptojnë masat më të ashpra për këto sjellje të shëmtuara.
KF Prishtina e Re qëndron plotësisht në mbështetje të lojtarëve tanë dhe të çdo sportisti që përballet me situata të tilla.
Racizmi nuk ka vend në futboll”, shkruhet në njoftim.

/GazetaBlic Sport