Lajme

Reagon ambasada amerikane pas tërheqjes së barrikadave dhe policisë speciale nga veriu, kërkon përkushtim në dialog

10/02/2021 17:30
nga:Y I

Ushtruesi i detyrës së ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe ka reaguar pasi marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për targat ka filluar të zbatohet.

Përmes Twitter-it, Giacobbe ka thënë se forcat e KFOR-it në pika kufitare janë aty përkohësisht.

Sipas tij, pritet që për dy javë të kthehet funksionimi i kufirit në normalitet.

Ai ka shtuar se tashmë është koha që të ecet përpara dhe të ketë riangashim të përkushtuar në dialogun mes Kosovës e Serbisë.

“Progres i mirë nga Kosova dhe Serbia që po implementojnë në kufi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja. Prezenca e KFOR-it është e përkohshme, për dy javë ne presim që funksionimi i kufirit të kthehet në normalitet. Koha që të ecet përpara dhe të ketë riangazhim të përkushtuar në dialog”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Jarinja e Bërnjaku janë zhbllokuar, ndërkaq ka nisur edhe qarkullimi i lirë i automjeteve.

Pas 13 ditësh në krye të detyrës, pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës do të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, duke i lënë në dorë situatën në veri të Kosovës forcave të KFOR-it.

Pas 13 ditësh bllokadë, fillon qarkullimi i lirë në veri nën mbikëqyrjen e KFOR-it