Sporti

Reagon Agim Ademi: Jam sulmuar nga persona të maskuar, më sulmuan në mënyrë tinzare

10/19/2021 15:21
nga:Mergim Rreci

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është sulmuar fizikisht mëngjesin e sotëm në Prishtinë.

Ai është sulmuar sot në Parkun e Germisë, shkruan GazetBlic.

Ademi e ka konfirmuar këtë gjë nëpërmjet një reagimi në “Facebook”.

Ai tha se është sulmuar gjatë orës 08:00 të mëngjesit nga persona të maskuar, por që nuk ka lëndime trupore.

Ky është postimi i tij.

Duke pasur parasysh interesimin e madh të dashamirëve dhe të opinionit publik pas raportimit për sulm fizik ndaj meje, fillimisht dua të ju informoj se jam mirë me shëndet dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim siç është raportuar.
Është e vërtetë që sot rreth orës 8:00 jam sulmuar fizikisht nga persona të maskuar në parkun e Gërmisë, aty ku çdo ditë e praktikoj ecjen dhe vrapimin në natyrë.
Personat në fjalë më sulmuan në mënyrë tinzare, por që fatmirësisht kalova pa lëndime serioze.
Lidhur me këtë rast është informuar edhe Policia e Kosovës, e cila tashmë është duke i kryer hetimet. Shpresoj dhe besoj se shumë shpejt personat e tillë do të dalin para organeve të drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar.
Përkundër sfidave në punë, por edhe pengesave të këtij lloji, do të vazhdoj me tërë energjinë time t’i shërbej futbollit dhe ngritjes së mëtejme të FFK-së.
Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi!
Me respekt,
Agim Ademi, president

/GazetaBlic/