Dy ish-presidentë demokratë dënuan skenat në Minnesota pas vrasjes së Alex Pretti këtë fundjavë, duke e përshkruar tragjedinë si një moment vendimtar që i bën thirrje amerikanëve të “flasin” dhe të ndërmarrin veprime.
Ish-presidenti Barack Obama dhe ish-zonja e parë Michelle e quajtën vdekjen e Prettit një “tragjedi zemërthyese” në një deklaratë.
“Duhet të jetë gjithashtu një thirrje zgjimi për çdo amerikan, pavarësisht nga partia, se shumë nga vlerat tona thelbësore si komb po sulmohen gjithnjë e më shumë”, tha çifti Obama, shkruan NBC News.
Familja Obama gjithashtu kritikoi “taktikat e paprecedentë” që ka përdorur Departamenti i Sigurisë Kombëtare, duke thënë se “njerëzit në të gjithë vendin janë indinjuar me të drejtë nga spektakli i rekrutëve të maskuar të ICE-së dhe agjentëve të tjerë federalë që veprojnë pa u ndëshkuar dhe që angazhohen në taktika që duket se janë të dizajnuara për të frikësuar, ngacmuar, provokuar dhe rrezikuar banorët e një qyteti të madh amerikan”.
Ata thanë se “në vend që të përpiqen të imponojnë njëfarë disipline dhe llogaridhënieje mbi agjentët që kanë dërguar, presidenti dhe zyrtarët aktualë të administratës duket se janë të etur ta përshkallëzojnë situatën, ndërsa ofrojnë shpjegime publike për të shtënat me armë zjarri ndaj Pretti dhe Renee Good, të cilat nuk mbështeten në ndonjë hetim serioz – dhe që duket se kundërshtohen drejtpërdrejt nga provat video”.
Familja Obama i bëri thirrje çdo amerikani të “frymëzohet nga vala e protestave paqësore në Minneapolis dhe pjesë të tjera të vendit” dhe thanë se shpresojnë që zyrtarët e administratës të ndryshojnë qasjen e tyre dhe të punojnë me Guvernatorin e Minnesotas, Tim Walz, dhe Kryetarin e Bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, “për të shmangur më shumë kaos dhe për të arritur qëllime legjitime të zbatimit të ligjit”.
Për rastin ka lëshuar deklaratë edhe ish-presidenti Bill Clinton. Ai ka deklaruar se nuk e kishte menduar kurrë se këto do të ndodhnin në Amerikë.
“Njerëz, përfshirë fëmijë, janë rrëmbyer nga shtëpitë, vendet e punës dhe rrugët e tyre nga agjentë federalë të maskuar”, tha ai.
“Protestuesit paqësorë dhe qytetarët që ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të vëzhguar dhe dokumentuar zbatimin e ligjit janë arrestuar, rrahur, është hedhur gaz lotsjellës dhe, më e keqja, në rastet e Renee Good dhe Alex Pretti, janë qëlluar dhe vrarë”, shtoi Clinton
“E gjithë kjo është e papranueshme dhe duhej të ishte shmangur”, vazhdoi ish-presidenti.
Deklarata e tij vazhdon: “Njerëzit përgjegjës na kanë gënjyer, na kanë thënë të mos e besojmë atë që kemi parë me sytë tanë dhe kanë nxitur taktika gjithnjë e më agresive dhe armiqësore, duke përfshirë pengimin e hetimeve nga autoritetet lokale. Gjatë gjithë jetës, përballemi vetëm me disa momente ku vendimet që marrim dhe veprimet që ndërmarrim do të formësojnë historinë tonë për vitet që do të vijnë. Ky është një prej tyre. Nëse heqim dorë nga liritë tona pas 250 vjetësh, mund të mos i marrim kurrë më ato. Varet nga të gjithë ne që besojmë në premtimin e demokracisë amerikane të ngrihemi, të flasim hapur dhe të tregojmë se kombi ynë ende i përket Neve, Popullit.”


