Lajme

Rasti “Visametric”, avokati që paditi kompaninë shpalos detaje të reja

05/23/2023 19:00
nga:Astrit Gashi

Avokati Flamur Abdullahu ka dhënë detaje të reja pasi të martën u ndalua në polici drejtorii “Visametric”, shtetasi turk, Serdal Ozdemir.

Ai u ndalua për 48 orë pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “”mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Po ashtu, Gjykata Komerciale kishte marrë vendim që “VisaMetric” nuk mund t’i obligojë aplikantët për vizë të paguajnë 30 euro për t’iu kthyer pasaporta, por të njëjtit nuk e kishin respektuar vendimin e Gjykatës nën arsyetimin se nuk e kanë pranuar vendimin zyrtar.

E për këtë çështje, Abdullahu ka treguar se edhe vetë ka paguar tarifën prej 30 eurove, si shumë qytetarë të tjerë.

Detyrimi i pagesës së kësaj tarife sipas Abdullahut i cili ka ushtruar padi kolektive ndaj kompanisë në fjalë, është shkelje e të drejtave të konsumatorit.

“Unë ishte një prej personave që kur aplikova për vizë, u detyrova të paguaj tarifën e postë, e cila në parim do të ishte një shërbim ta zgjidhja, nëse e dua apo jo. Në rastin e “Visametric-ut” ata detyronin që të paguhet kjo tarifë dhe nuk ishte e mundur zgjedhja. Kjo përbënte shkelje të të drejtave të konsumatorit pasi në ueb-faqen e “Visametric” ky shërbim reklamohej si i zgjedhshëm në konsumatorin. Pastaj, unë fillova ankesën në Departamentin për Mbrojtje të Konsumatorit, kërkesën për masën e sigurimit dhe padinë kolektive”, tha ai të martën në ATV.

Ai sqaroi se pas propozimit për masën e sigurimit, gjykata vendosi që kjo pagesë nuk duhet t’iu merret konsumatorëve. “Jemi në pritje të seancave për çështjen e padive kolektive ku kemi kërkuar të kthehen të gjitha mjetet që kanë paguar sikur unë”.

Sipas tij, të afektuar nga kjo situatë janë të gjithë ata persona që kanë aplikuar prej shtatorit të kaluar deri para disa ditësh kur “Visametric” ka filluar ta zbatojë vendimin e Gjykatës.

“Të gjithë ata që kanë aplikuar, kanë paguar postën, pavarësisht se a merret viza apo jo, ajo është çështje tjetër. Kjo kompani sipas njoftimit të saj ka deklaruar se vendimin e gjykatës së shkallës së dytë më duket data 16 e këtij muaji. Realisht, si avokat, konsideroj që në bazë të ligjit, kompania ish dashur që të fillojë zbatimin që nga marrja e vendimit të shkallës së parë, por ka pritur ta marrë vendimin e shkallës së dytë”, shtoi Abdullahu.

“E jona është të bëjmë padinë, për gjëra tjera argumentohemi në Gjykatë. Kërkesa jonë është që të kthehen mjetet që iu janë marrë konsumatorëve. Presim caktimin e seancës, patjetër që do t’i njoftojmë mediat pasi është temë aktuale dhe në interes të qytetarëve të Kosovës”.

Gjykata Komerciale ka njoftuar se së shpejti do të caktohet edhe seancë lidhur me këtë çështje. Me anë të kësaj padie është kërkuar rimbursimi i 30 eurove për aplikantët.