Në Kosovë të premten është konfirmuar rasti i parë me “Mpox”, i njohur si Lia e Majmunëve. Kështu njoftoi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës duke treguar se në orët e pasdites, Laboratori i Mikrobiologjisë përmes metodës RT-PCR ka konfirmuar një rast të importuar të Mpox, i njohur më parë si Lia e Majmunëve.
IKSHPK bëri të ditur se ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit.
“IKSHPK tërheq vëmendjen për kujdes të qytetarëve, sepse personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht. Edhepse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik”, njoftoi IKSHPK.
Për këtë rast ka dhënë detaje edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ku ka bërë të ditur se pacienti është i moshës 30 vjeçar kishte qëndruar për 4 muaj në Afrikën Perëndimore.
“Më datë 24.12.2024, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është pranuar një pacient 30-vjeçar nga Prishtina me manifestime të ndryshimeve lëkurore në formë ekzantemash vezikuloze, të shoqëruara me ënjtje të gjëndrave limfatike në qafë, aksila dhe inguinum. Nga të dhënat që janë marrë nga vet pacienti, ai ka qëndruar për 4 muaj në Afrikën Perëndimore, një zonë me rrezik të lartë për infeksion me M-Pox (Monkeypox)”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se për këtë arsye, ai është izoluar menjëherë në dhomë të veçantë për trajtim dhe monitorim.
“Më datë 26.12.2024, pas marrjes së mostrave dhe analizave laboratorike, nga Laboratori i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, është konfirmuar pozitiv për M-Pox. Aktualisht, gjendja e përgjithshme e pacientit është stabile, dhe ai po trajtohet në përputhje me protokollet ndërkombëtare, jashtë rrezikut për jetë”, bëhet e ditur në njoftim.
Masat që janë ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së infeksionit:
Pacienti po trajtohet në kushte të veçanta për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
Një punonjës shëndetësor që ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me pacientin është izoluar dhe po diagnostikohet. Gjendja e tij është stabile.
Klinika Infektive disponon pajisje personale mbrojtëse (PPM), medikamente dhe dezinfektantë të mjaftueshëm për të siguruar mbrojtjen e personelit dhe pacientëve.
Po ashtu, thuhet se janë forcuar masat e kontrollit të infeksionit dhe është bërë izolimi i repartit për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.
QKUK mbetet e angazhuar për ofrimin e kujdesit shëndetësor maksimal dhe parandalimin e përhapjes së infeksioneve.