Lajme

Rasti i Erona Coklit, Gjykata e Ferizajt thotë se Prokuroria ishte tërhequr nga ndjekja penale

04/17/2024 12:10
nga:N K

Gjykata Themelore e Ferizajt ka sqaruar se aktakuza e vitit 2021 e ngritur ndaj Valon Aliut, tashmë të dyshuarit për vrasje të Erona Coklit, ishte refuzuar për shkak se Prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale.

Kështu kanë thënë ky institucion në një reagim për televizionin pas një emaili që e kanë dërguar të hënën, (por që atë ditë nuk ka arritur në redaksinë tonë) si përgjigje për pyetjet e dërguara po atë ditë.

“Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur ka pranuar aktakuzën me numër: PP/I.nr.103/21, e dates 09.09.2021, kundër të pandehurit V.A., për shkak të veprës penale nxitja e akteve seksuale me premtimin e rrejshëm për martesë nga neni 233 të KPRK-së.

Duke vepruar sipas kësaj aktakuze, Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, pas mbajtjes së seancës gjyqësore jo publike, më datë 08.03.2022, ndaj të pandehurit V.A. konform nenit 363 paragrafi 1 pika 1.1 të KPPRK-së (Kodi i Procedurës Penale me numër 04/L-123 i cili ka qenë në fuqi në kohën e mbajtjes së këtij shqyrtimi gjyqësor) është marrë aktgjykim refuzues për shkak se Prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale.”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Klan Kosova dje ka siguruar eksluzivisht aktakuzën e vitit 2021 ndaj Valon Aliut. Në atë aktakuzë thuhet se Erona Cokli ishte e mitur kur u nxit për akte seksuale me premtim të martesës pikërisht nga Valon Aliu. Ky i fundit e kishte mashtruar të ndjerën se është 19 vjeçar ndonëse i kishte 33 vjet, ishte i martuar dhe kishte 3 fëmijë.