Lajme

Rasti i dhunimit të 11-vjeçares, Gjykata Themelore merr vendim!

04/23/2024 10:52
nga:G C

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur dënimin për gjashtë të akuzuarit në rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje, me dënime që shkojnë deri në 72 vjet burgim.

“Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi të njëjtit veç e veç kanë kryer veprën penale të Dhunimit, ashtu që i akuzuari B.RR është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) viteve, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh, secili veç e veç”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Avokatja e viktimës, Kimete Krasniqi, ka bërë të ditur për Dukagjinin detajet e vendimit të gjykatës.

Sipas saj, nga shtatë të akuzuarit, njëri është liruar për shkak të mungesës së provave, ndërsa të tjerët janë dënuar me aktgjykim meritues.

“Vetëm njëri është liruar në mungesë të provave, ndërsa të tjerët janë dënuar me aktgjykim meritues, njëri prej tyre shpallur fajtor dhe është dënuar me 12 vjet burgim, ndërsa të tjerët janë dënuar me nga 10 vjet burgim”, ka thënë avokatja Krasniqi.

Një prej tyre është shpallur fajtor dhe dënuar me 12 vjet burgim, ndërsa gjashtë të tjerë janë dënuar me nga 10 vjet burgim secili.

“I akuzuari G.S është liruar nga aktakuza për veprën penale të Dhunimit, i pandehuri D.RR është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit, i pandehuri F.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimi, si dhe i akuzuari E.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit”, thuhet tutje në vendim.

Krasniqi gjithashtu ka raportuar për gjendjen e viktimës, e cila aktualisht ndodhet në strehimore dhe po merr trajtimin e nevojshëm nga institucionet përkatëse, megjithëse gjendja e saj vazhdon të jetë e rëndë.

Të akuzuarit janë obliguar të kompensojnë shpenzimet e procedurës penale, ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për kërkesën pasurore. Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.