Lajme

“Rasti i Banjskës ka mundur të përdoret për mirë – ndërkombëtarët është dashur ta shtojnë presionin”

09/24/2024 22:55
nga:G B

Analisti politik, Arton Demhasaj, thotë se nuk pret që në veri të ketë raste të ngjashme me atë të sulmit të Banjskës.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic thotë se deklaratat e Vuçiqit janë populliste, por që në veri janë marrë masat nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës.

“Të gjitha kërkesat që presidenti i Serbisë i ka prezantuar kanë qenë non sens, për shkak se ti si palë që ke nënshkruar marrëveshjen në Bruksel, nuk duhet ta fajësosh vetëm palën tjetër se nuk po i zbaton marrëveshjet, derisa nuk po i zbaton vet. Serbia është ai shtet që i ka dërguar vet letër zyrtare BE-së që nuk pranon t’i kryejë obligimet e saj të dala nga marrëveshja e Brukselit e as e Ohrit, kështu që Serbia për të dalë të fajësojë Kosovën, duhet t’i zbatojë fillimisht vet pjesët e marrëveshjes që i përkasin Serbisë dhe pastaj ta fajësojë Kosovën. Kështu që, edhe ato kanë qenë deklarata populliste që të mundohen t’i japin përgjigje ngjarjeve në veri por në anën tjetër nuk pres që të ketë ndonjë eskalim siç ishte rasti i vitit të kaluar, normalisht mund të ndodhin eksese të vogla që edhe KFOR-i edhe Policia jonë i kanë marrë masat që ta parandalojnë një eskalim të situatës në veri, duhet shtuar që edhe qeveria jonë duhet të jenë të kujdesshëm edhe në deklarata, edhe në veprimet që i ndërmerr në veri të mos ndikojë në ndonjë eskalim të ndonjë situate që më pas Serbia apo partnerët ndërkombëtarë ta fajësojnë Kosovën dhe jo Serbinë”, shprehet ai.

Sipas tij, dialogut është për t’i zgjidhur çështjet mes dy shteteve por që s’duhet shpallur të vdekur.

“Mendoj që çështjet politike në mes të Kosovës dhe Serbisë apo çfarëdo qofshin ato, e vetmja mënyrë për t’u zgjidhur është dialogu, në asnjë mënyrë ne s’guxojmë ta shpallim dialogun të vdekur, nëse do të ishte kështu atëherë pas sulmit terrorist në Banjskë nuk është dashur të ketë takime tjera në Bruksel, por përkundër kësaj ka pasur disa takime kështu që nuk qëndron kjo që ka thënë Konjufca”, vlerëson analisti.

Sipas Demhasajt, rasti i Banjskës ka mundur të përdoret për mirë dhe që ndërkombëtarët ta shtojnë presionin që të dy palët t’i zbatojnë marrëveshjet.

“Normalisht që Banjska ia ka dhënë një goditje dialogut por ajo ka mundur të përdoret edhe për mirë por edhe për keq, ka mundur të përdoret për mirë që ndërkombëtarët ta shtojnë presionin ndaj të dy palëve për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura, përndryshe mendoj që dialogu s’do të ketë sukses derisa BE nuk e merr autoritetin që palët në momentin që zotohen për një marrëveshje, t’ua caktojë një afat kohor që ta zbatojnë atë, e që pastaj t’i monitorojë dhe nëse palët nuk i zbatojnë, t’i ndëshkojë, apo ndaj cilësdo palë që nuk pranon t’i kryejë zbatimet brenda afateve të caktuara kohore. Nëse do të vazhdojë kështu që vetëm të arrihen marrëveshje dhe mos të zbatohen, ne do t’i zbatojmë edhe 10 vite në dialog, qysh i kemi shpenzuar 10 vite në të kaluarën”, deklaron Arton Demhasaj./Gazeta Blic/

1 vit nga sulmi i Banjskës/ Ish diplomati: Kosova të insistojë për drejtësi – këto veprime është dashur të ndërmerren

Ish koloneli i FSK-së thotë se s’pritet dorëzimi i Radoiçiqit në Kosovë – këto janë arsyet