Lajme

Rasti i 4-vjeçares- ‘Inspektorati Shëndetësor ‘zbarkon’ në Spitalin e Gjakovës, kryen inspektime!

02/22/2024 16:10
nga:Y I

Vdekja e katër vjeçares nga Gjakova në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me 19 shkurt, ka tronditur mbarë opinionin publik.

Familjarët e saj kanë akuzuar mjekët për neglizhencë gjatë trajtimit mjekësor.

Nga QKUK-ja kanë deklaruar se e njëjta ishte paraqitur në klinikë në gjendje mjaft të rënduar shëndetësore dhe se ka patur ‘infeksion akut të shkallës së lartë’

Të njëjtit kanë theksuar se përkundër të gjitha masave të marra, fëmija ka ndërrura jetë.

Në lidhje me rastin në fjalë janë deklaruar për “Gazeta Blic” nga Ministria e Shëndetësisë.

Ata kanë potencuar se Inspektorati Shëndetësor ka kryer inspektim me datë 21.02.2024 në Spitalin e Gjakovës në lidhje me rastin në fjalë dhe lënda është në procedurë.

“Ju informojmë se Inspektorati Shendetesor ka kryer inspektim me datë 21.02.2024 në Spitalin e Gjakovës në lidhje me rastin në fjalë dhe lënda është në procedurë” thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për “Gazeta Blic”.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka bërë thirrje për hetime e veprime të menjëhershme.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK ka reaguar lidhur me rastin e vdekjes së vajzës 4-vjeçare nga Komuna e Gjakovës, gjersa thekson se nga “deklarata e prindërve vërehet një menaxhim jo i mirë i rastit thuajse në secilin segment, brenda të cilit mund të gjenden vepra penale, shkelje etike e profesionale dhe trajtim jo human”.

Edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit kanë njoftuar se kanë nisur hetimet për vdekjen e katër vjeçares nga Gjakova.

Avokati i Popullit u ka bërë thirrje institucioneve që të të ndërmarrin sa më parë veprimet e nevojshme.

“Mbrojtja e jetës së fëmijës është detyrimi kryesor për çdo person, institucion apo organ tjetër. Marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit Avokati i Popullit u bën thirrje institucioneve të ndërmarrin sa më parë veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi. Me këtë rast, Avokati i Popullit, në pajtim me rolin kushtetues dhe kompetencat e përgjegjësitë e përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, do të zhvillojë hetimet lidhur me rastin dhe do tё monitorojë atë nga afër dhe në vazhdimësi në mënyrë që tё sigurojë se tё gjitha institucionet përgjegjëse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj”, thuhet nga Avokati i Popullit.

Në lidhje me rastin ka patur një deklarim sot edhe nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Vitia ka dekalruar se janë pritje të raporteve nga SHSKUK-ja dhe nga Spitali i Përgjithshëm ‘Isa Grezda’ në Gjakovë për lëshime eventuale.

“Natyrisht, na ka prekur të gjithëve sepse është një rast shumë i rëndë dhe jemi jashtëzakonisht shumë të pikëlluar. Me të marrë vesh kam kërkuar menjëherë te drejtoria e SHSKUK-së raporte nga Spitali i Përgjithshëm i “Isa Grezda’ në Gjakovë dhe nga të gjitha institucionet e nivelit sekondar dhe terciar që kanë trajtuar vajzën katërvjeçare. Në të njëjtën kohë Inspektorati i Shëndetësisë ka dalë në këto institucione dhe është edhe sot aktiv në këtë drejtim dhe të njëjtin kohë po presim raporte e fundit nga ekspertiza mjeko-ligjore për të dhënë pastaj edhe për të pasur të gjitha informacionet e sakta në fund. Për momentin natyrisht çka do që mund të them mund të gaboj sepse pa raportet që i përmenda dhe pa ekspertizën mjeko-ligjore, por edhe hetimet nga njësia hetuesisë dhe prokuroria nuk mund të përgjigjem nëse ka pasë diçka në këtë drejtim” deklaroi Vitia raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Deklarohen nga QKUK-ja rreth vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova

Avokati i Popullit nis hetimet për vdekjen e 4-vjeçares nga Gjakova

Vdekja e katërvjeçares – Ministri Vitia në pritje të raporteve për të marrë masa