Sporti

Rashkaj: Ndeshjet e para të Fodës dhanë sinjale pozitive, lojtarët e rinj po shtojnë konkurrencën në skuadër

03/28/2024 20:53
nga:E K

Kosova mbylli dy ndeshjet miqësore të muajit mars ndaj Armenisë dhe Hungarisë me dy rezultate të kundërta.

Fillimisht Foda debutoi me fitore minimale ndaj Armenisë 0-1, për t’u mposhtur nga Hungaria katër ditë më pas me rezultat 2-0.

Ish kapiteni i Kosovës, Anel Rashkaj për ‘GazetaBlic Sport‘ komentoi debutimin e Fodës në stolin e Kosovës duke thënë se këto ndeshje miqësore dhanë sinjale pozitive për të ardhmen.

“Ndeshja e parë ishte shumë shpejt edhe për trajnerin. Ishte një ndeshje që trajnerit i shërbeu për të marrur informacionet e para për lojtarët. Debutimi me fitore ishte shumë me rëndësi që të arrihet vetbesimi dhe trajneri t’i shoh lojtarët nga afër dhe nuk kishte shumë kohë të bëjë shumë ndryshime. Dallimi që e kam parë ishte në ndeshjen ndaj Hungarisë ku Hungaria dihet që është kombëtare tejet e fortë dhe kam parë edhe ndeshje tjera të Hungarisë dhe mbeta i befasuar me kualitetin që kanë në dispozicion, por në këtë ndeshje mendoj që Kosova ka luajtur pjesën e parë më të mirë ndonjëherë deri diku mund të them tek minuta e 65’të. Aspekti i lojës ishte në nivel, presingu i lartë, vendosja e lojtarëve dhe qarkullimi i topit mendoj se ishin tejet në nivel. Pastaj nuk e mbajtëm të njëjtin nivel dhe ra pak kualiteti ndoshta edhe fizikisht, por nëse ekipi mund ta bëjë atë që e ka bërë në pjesën e parë gjatë ndeshjes ndaj Hungarisë atëherë do ishte shumë mirë”, tha fillimisht Anel Rashkaj për GazetaBlic Sport.

Tutje, Rashkaj e cilësoi Fodën si trajnerin më me përvojë që ka pasur deri tani Kosova.

“Mendoj që nëse e krahasojmë Fodën me trajnerët që kemi pasur deri tash mendoj se Foda ka CV më të pasur se të tjerët. Ka pasur një kombëtare shumë të fortë në Evropian, por tash mbetet të shihet nëse do reflektohet edhe në rezultate kjo. Mendoj që këto ndeshje kanë dhënë sinjale të mira, normalisht se duhet të punohet shumë, por të shohim se si do të rrjedhin gjërat”, shtoi Rashkaj.

Rashkaj potencon se situata te Kosova është shumë e mirë duke parë cilësinë e lojtarëve të rinj që po dëshmohen dita ditës si, Albion Rrahmani, Drilon Hazrollaj, Ermal Krasniqi dhe të tjerët.

“E ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta, nuk mendoj se kemi pasur kësi situate më parë. Mendoj se është hera e parë me lojtarë të Superligës që po arrijnë me nivel kaq të lartë, tash edhe lojtarët janë atraktiv për shumë klube evropiane. Kemi parë që edhe në Kombëtaren e Kosovës kur iu jepet rasti bëjnë performanca dalluese dhe ata i shoh si konkurrent për lojtarët startues të Kosovës dhe kjo është shumë pozitive”, përfundoi Rashkaj për GazetaBlic Sport.